Deputeti i Partisë Socialiste Adnor Shameti ka depozitua një projektligj në Kuvend, për ndryshimin e ligjit anti-mafia, i cili mund të prodhojë polemika. Ndryshimet synojnë që të përjashtojnë nga sekuestrimi pasuritë e njerëzve të krimit dhe korrupsionit, të cilat janë lënë si garanci në banka, për lëvrimin e kredive apo në rrethana të tjera. Nisma ligjore, përpos të tjerave, ndryshon nenin 13 të ligjit anti-mafia në fuqi, duke parashikuar që “në rast se mbi këto sende ekzistojnë të drejta reale garancie, sendet përjashtohen nga konfiskimi”.

Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se “ligji anti-mafia nuk parashikon kryerjen e një hetimi të thelluar nga ana e prokurorisë mbi statusin juridik të pasurisë dhe të drejtave pasurore që personat e tretë në mirëbesim gëzojnë mbi këto pasuri, përpara se t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për të vendosur masën e sekuestros mbi një pasuri të caktuar”. Nisma ligjore u njeh palëve të tjera, që në këtë rast mund të jetë një bankë apo individ, të drejtën e ankimit të vendimit të sekuestrimit, të drejtën për t’u njoftuar nga prokuroria dhe për të marrë pjesë në procesin e bllokimit të pasurisë.

Si rrjedhojë, ndryshimet parashikojnë që SPAK duhet të verifikojë edhe kreditë gjatë hetimit të pasurive të njerëzve të krimit dhe korrupsionit. Nismëtari thotë se ndryshimet synojnë të respektojnë të drejtat e njeriut.

Kreditë bankare janë forma më e zakonshme dhe më masive që përdoret nga njerëzit e krimit, pushtetarët e korruptuar, fëmijët e politikanëve etj., për të pastruar paratë e pista, duke i investuar kryesisht në pasuri të paluajtshme. Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu për pasuri të paligjshme, i kanë investuar paratë e paligjshme në ndërtim, përmes kredive bankare. Gjithashtu, pas pasurisë marramendëse të disa politikanëve në Tiranë dhe fëmijëve të tyre, qëndron manovra e marrjes së kredive të dyshimta dhe pa kolateral të besueshëm, si pjesë e mekanizimit të pastrimit të parave.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë / Nisma ligjore për ndryshimin e ligjit ati-mafia