TIRANE - Një grup studentësh e pedagogësh, përmes rrjeteve sociale janë mbledhur në një marshim kundër draftit për reformimin e sistemit arsimor përmes komisionit të posacëm,të ngritur me urdhër të Kryeministrit Rama.

Studentët kërkojnë shfuqizimin e draftit sepse sipas tyre ky i fundit favorizon interesat e universiteteve private dhe shmang përgjegjësinë e shtetit ndaj atyre publike. Një problem tjetër ngritur nga studentët është se në optikën e tyre ky draft parashikon rritjen e taksave për shkollimin, ç'ka sipas tubuesve do të cënonte rëndë buxhetin dhe interesat e studentëve.

Në kërkesat e tyre kryesore, protestuesit kanë kërkuar që reforma e ndërmarë, të ndërprehet plotësisht dhe të meren në konsideratë rolet e pedagogëve dhe studentëve në sistemin arsimor.

Studentët, të cilët e nisën marshimin në universitetin Politeknik kanë ndaluar përballë kryeministrisë dhe kanë kërkuar që reforma të vijë duke kaluar nga studentët dhe pedagogët, dhe jo nga politika dhe kryeministri. Pavarësisht se komisioni i ngarkuar nga Kryeministri Rama ka pushuar punimet e tij për të konsultuar draftin me universitetet, protestuesit kanë kërkuar pushimin e plotë të punimeve të tij.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)