Protestë studentore, bllokohet Rektorati

Protestë studentore, bllokohet Rektorati
PRISHTINE-Aktivistë të Lëvizjes Studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim”, janë mbledhur në shenjë proteste para hyrjes kryesore të ndërtesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës, siç thuhet në komunikatë për njohjen e të gjitha të drejtat si studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës të Durim Jasharajt dhe Rron Gjinovcit.

Me tej në komunikatë thuhet se vendimi për moslejimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet studentore të këtij viti është i pabazuar në Rregulloren për Zgjedhje të UP-së, në Statutin e UP-së apo në Ligjin për Arsimin e Lartë, është vendim i motivuar politikisht.

“Frika nga programi ynë i cili parasheh liri për Universitetin e Prishtinës dhe një universitet për shoqërinë, po bënë që organizatës sonë t’i vihen pengesa të paarsyetuara dhe të pabazuara. Paniku që ka kapur administratën e UP-së, organizatat e varura studentore, dhe pushtetin, po e nxjerr vrazhdësinë e tyre dhe gatishmërinë që të shkelin çdo parim për ta ruajtur gjendjen e tyre ekzistuese”, thonë SKV.

Ata kanë njoftuar se kanë bërë ankesën në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa po ashtu kanë dorëzuar listat e tyre tek Komisioni Zgjedhor me Rronin dhe Durimin si emrat e parë në listën e Parlamentit Studentor.

“Ne nuk i njohim vendimet që na janë lëshuar deri tani, pasi ato nuk bazohen në ndonjë nga dokumentet e përmendura dhe i kërkojmë MASHT-it që të mos e bëjë gabimin e njëjtë. Gjithashtu i jemi drejtuar Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të kërkuar nga këto institucione që të thonë fjalën e tyre për rastin eklatant të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut”, thuhet më tej dhe se qëllimi i tyre është pengimi i punës së rektoratit derisa të shfuqizohen vendimet e padrejta dhe kolegëve të tyre tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje si e drejtë që u takon duke qenë studentë të rregullt të UP-së.

“Ne do ta mbajmë të mbyllur hyrjen e ndërtesës, nuk do të hyjmë në objekt dhe do të kujdesemi që oborri i rektoratit për herë të parë pas shumë kohësh të jetë prapë publik, pra i studentëve”, thuhet në fund të komunikatës për media të Levizjes Studentore për Barazi - "Studim Kritikë Veprim".

SHTESË-Aktivistët e SKV nuk janë lejuar që të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, për të cilin veprim kanë protestuar të mërkurën para Rektoratit të UP-së, gjatë të cilës protestë ka ndërhyrë Njësia Speciale Kosovës, duke arrestuar 20 studentë protestues.

Por, sot, deri ora 13 nuk ka patur intervenim te policisë e as takime me zyrtarë të Rektoratit. Protesta vazhdon me performanca muzikore, janë vëndosur tenda dhe aktivistët qëndrojnë të ulur në shkallët e Rektoratit.

Aktivistët e SKV njoftojnë se deri tani në ora 14, bllokimi i hyrjes së Rektoratit nga studentë e UP-së po vazhdon. Hapërisa e Rektoratit është mbyllur për keqpërdorime dhe është hapur për aktivitete studentore, thonë studentët dhe deri në këto momente, ende nuk ka përgjigje nga MASHT-i ndaj ankesës së Lëvizjes Studentore për Barazi-SKV.
Studentët të cilët janë duke qëndruar për mëse 4 orë, të shoqëruar nga studimi dhe kënga, deri në përmbushjen e kërkesave. 

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ, me anë të një komunikate konsideron se ndaj Lëvizjes SKV është vepruar në mënyrë të padrejtë si dhe në këtë rast ka shkelje flagrante të drejtave të njeriut, përfshirë këtu Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot Kuvend/ Deputeti socialist interpelancë me ministrin Peleshi për rijetëzimin e industrisë ushtarake

Sot Kuvend/ Deputeti socialist interpelancë me ministrin Peleshi për rijetëzimin e industrisë ushtarake