Ndonëse kanë kaluar shumë pak ditë që prej protestës së 6 dhjetorit të Berishës njëherësh edhe samitit të BE-së në Tiranë, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku e sheh me të njëjtin këndvështrim “mesazhin” e opozitës, pa asnjë funksion.
Edhe pse ka qenë kundër që në krye të herës kundër protestës së Rithemelimit, deputeti demokrat mbetet i të njëjtit qëndrim, madje sot, më shumë se kurrë. I ftuar në “Studio Live”, Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, Çollaku foli edhe për sulmin ndaj Berishës, ku iu bashkua shumicës së politikës (pa dallim partie) e ka dënuar, sidoqoftë për të është një lëvizje e nxitur. Deputeti i selisë blu, thotë se është e dyshimtë sesi pikërisht në atë datë 31-vjeçari me probleme të shëndetit mendor sulmoi një figurë politike, e cila pavarësisht bindjeve, është e rëndësishme. Megjithatë, Çollaku nuk vuri gishtin askund.
“Patjetër që jam kundër, sot më shumë se kurrë. Ajo protestë ishte e gabuar, jo se është e gabuar të protestosh ndaj qeverisë... Por dita 6 dhjetor në një ditë të jashtëzakonshme të Shqipërisë që përkon edhe me kërkesat primare të PD që në fillesat e saj, të organizosh një protestë është motiv shumë i dobët. Unë e parashikova se ajo mund të ishte një moment delikat për ta ‘ulur’ idenë e protestës. E lidh opozitën me idetë antievropiane, sovraniste etj. Edhe pse në thelb është ADN e PD-së Evropa dhe demokracia.- tha Çollaku.
Deputeti nuk ka përjashtuar as pistën e huaj si “autor” të sulmit ndaj Berishës më 6 dhjetor.
Ishte një ngjarje, jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme. U ndjeva keq. Të shohësh goditje në atë formë, me atë goditje, pavarësisht mbështetjes ndaj tij, është skenë e rëndë. Mendoj që ngjarja s’mund të kalojë në heshtje për një retorikë dite. Nëse është apo jo ai person me probleme të shëndetit mendor ka shumë pak rëndësi. Çështja që ka rëndësi të sqarohet është nëse ky person ka qenë i nxitur apo i “pavarur” pra ka vepruar vetëm. Mundësia që një i destabilizuar mendor, do kishte pasur çdo mundësi dhe dite për ta sulmuar. Fakti që përzgjidhet ai moment, më duken këto element shumë të fortë për të mos ta parë si ngjarje banale. Unë mendoj se ka një nxitje ajo histori. Dhe mund të jetë edhe pistë e huaj”- tha Çollaku.
Si ish zëvendës ambasador në SHBA, Çollaku foli edhe për situatën dramatike të ditëve të fundit në veri të Kosovës. Deputeti paralajmëroi se në veri të Kosovës ka rrezik të një lufte eventuale, sepse situata aktualisht në Mitrovicë është jashtëzakonisht e tensionuar. Në dy ditët e fundit, ka pasur shpërthime me bomba në dy zona të veriut të Kosovës, por edhe një “luftë” politike vijuar me një sërë akuzash mes kreut të shtetit të Serbisë dhe homologes së tij në Kosovë, Vjosa Osmani.
Çollaku shprehet se Serbia po bën luftë me dy porta dhe se pikërisht kjo lëvizje e një “aktori” si Vuçiç për politikën mund të shërbejë si nxitës për një luftë në bashkëpunim me Rusinë.
“Jo nuk është vetëm tension por është rrezik i një lufte eventuale. Edhe këtë orë në Mitrovicë buçasin alarme për shpërthime. Ka një përpjekje nga Serbia për një ndarje de facto të veriut të Kosovës. Informacionet janë shqetësuese për atë që po ndodh në veri të Kosovës. Brenda Mitrovicës, ka infiltrime të forcave serbe dhe ruse në inteligjencë. Bëhet fjalë edhe për fasilitete spitalore fushore. Pra është një situatë në prag lufte. Dhe sigurisht, kjo ndikon në deklaratat e viktimës së kësaj situatë Vjosës dhe agresorit Vuçiç dhe sesi ndikon kjo dhe në politikën e jashtme në Samit.
Serbia po bën lojë me dy porta, dhe Vuçiç e luan në mënyrë mjeshtërore. Se edhe përfiton nga BE dhe armatoset nga Kina dhe Rusia. Serbia e ndërlidhur me Rusinë, mban sot të stimuluar vatrat shpërthyese në veri të Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi por edhe në Maqedoninë e Veriut. Pra Serbia e kombinuar me Rusinë është faktori destablizues i Ballkanit. Pavarësisht se Vuçiç si një aktor i mirë i “rregullon” marrëdhëniet me ndërkombëtarët.”- përfundoi Çollaku.