Pse pakënaqësitë ndaj qeverisë së Edi Ramës nuk po kthehen në protesta masive, siç do të donte Partia Demokratike? Dhe pse opozita nuk po arrin të prodhojë një “tërmet” politik si në Hungari.
Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV mes deputetit të PD-së, Saimir Korreshi dhe ish-deputetit Ralf Gjoni, të cilët patën dy qasje të ndryshme ndaj këtyre pyetjeve. Korreshi fajësoi më shumë mungesën e reagimit qytetar, ndërsa Gjoni sistemin politik dhe klasën drejtuese.
Duke komentuar fitoren e opozitës hungareze dhe Peter Magyar, Korreshi fajësoi vetë shoqërinë shqiptare, për mungesë reagimi ndaj skandaleve të qeverisë. duke e cilësuar popullin një frikacak e një legen.
“Qeveria mund të bie edhe prej protestave. Duhet të kishte rënë prej denoncimeve që rëndojnë prej saj. 80 % e qeverisë e ka bërë SPAK si stacion autobuzi. Si hallexhi, njerëzit nuk po hanë tre vakte bukë. Kanë tjetër mentalitet njerëzit atje. Këtu kanë frikë të flasin në mëngjes. Këtu ka ngordhur nervi. Njerëzit kanë më të lehtë të ikin në Europë se të përballen. Mos t’u sigurosh bukë kalamajve dhe të mos ngrihesh, unë këtë vend kam parë. Të kesh naftën dhe çmimet e shportës dhe të mos ngrihesh unë këtë vend kam parë, të vejë domatja në 4 mijë lekë e ti të rrish si legen e të mos ngrihesh unë vetëm këtë vend kam parë,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ish deputeti Ralf Gjoni e sheh problemin tek sistemi politik dhe mënyra si funksionon ai në Shqipëri. Sipas tij, protestat kanë potencial, por nuk janë mekanizmi kryesor për rrëzimin e një qeverie. Njëjtë si Korreshi, ai kritikoi qytetarët që shesin votën si ‘specie klienteliste transaksionale’
“Ka shkak dhe pasojë, është një ekuacion me shumë problematika. Potenciali për të rrëzuar një qeveri përmes protestave ekziston, por qeveritë rrëzohen me votë. Ne e shesim votën por nuk e numërojmë atë. Ju kërkoni pjesëmarrje qytetare në protesta të një partie opozitare, në një vend ku shumë qytetarë, këta që nuk marrin pjesë në protesta, e tregëtojnë votën sepse janë një specie klienteliste transaksionale. Kush është shkaku? Sistemi elektoral, Edi Rama dhe Sali Berisha të cilët me një pisllëk të paparë kanë bërë reformën famëkeqe të 2008 dhe e kanë masakruar sistemin elektoral,” tha Gjoni.
Ai shtoi se mungesa e figurave të reja dhe të forta brenda opozitës është një tjetër arsye pse Berisha nuk mundëson dot ndryshim real politik. Sipas Gjonit, asnjë brenda PD-së nuk ka këllqe t’i bëjë ballë Sali Berishës.
“Nuk e rrëzon dot mazhorancën se bashkëpunon me të. Pse Peter Magyar, një i djathtë konservator arriti në pak vite të dalë nga partia kryesore e të krijojë një forcë politike e të nxjerrë Viktor Orbanin nga loja? Kjo quhet të kesh këllqe. Këtu mungojnë njerëz me këllqe. Pse sot nuk ka një Magyar brenda PD që të ketë këllqe e t’i bëjë ballë këtij Sali Berishës, plakut të mbaruar që ka kapur peng jo vetëm pronën e shqiptarëve përmes ligjit famëkeq 7501 por edhe sistemin elektoral përmes reformës së ndyrë të 2008,” u shpreh ai.
Në këndvështrimin e Gjonit, Partia Demokratike ka nevojë për një spastrim njerëzor që vetë demokratët të votojnë për të.
“PD duhet spastruar nga pleqtë e vegjël që kanë kapur peng sistemin dhe PD duhet hapur e sduhet të trajtohet si prona e tij apo familjes së tij. Me Sali berishën nuk do shkoja në protestë. Në momentin e parë që Beirsha largohet nga PD unë do isha i pari që do isha aty në protestë” tha Gjoni.
Në fund, të dy ranë dakord vetëm në një pikë: ndryshimi, si ai i Hungarisë apo i ngjashëm me të, nuk duket afër. Qoftë për shkak të mungesës së reagimit qytetar, qoftë për shkak të një sistemi që, sipas Gjonit, nuk prodhon alternativë reale, status quoja vijon e paprekur.
Komente











