Analistët Arben Meçe dhe Fatmir Merkoçi kanë analizuar protestat e organizuara nga kryedemokrati Sali Berisha para Kryeministrisë, të cilësuara si ‘Foltore’.

Në studion e ‘Report TV’, Meçe tha se këto protesta nuk kanë sjellë as ide të reja dhe as pjesëmarrje qytetare, duke i cilësuar ato si një dështim.

Meçe shtoi se Berisha i ka lodhur shumë militantët e vet, sa tani sipas tij, as ata nuk dalin nëpër protesta.

Ai analizoi edhe veprimtarinë e partive të vogla politike, teksa tha se me veprimet e tyre ato e kanë djegur domosdoshmërinë e një poli të tretë në Shqipëri.

Sipas Meçes, vetëm ish-deputeti i PD, Ervin Salianji po ndërmerr një lëvizje të duhur politike, me takimet e zhvilluara me demokratët.

“Foltorja e përjavshme është monolog. Më tepër atje ka policë e gazetarë, sesa qytetarë. Aty nuk ka asgjë të re, asnjë produkt të ri. Një lëvizje bëhet me një motiv dhe pastaj futesh në aksion. Tani po vënë në dyshim inteligjencën tonë. Mesazhe nuk ka, qoftë mesazhe të politikës, qoftë mesazhe të pjesëmarrjes. Berisha i ka lodhur kaq shumë militantët, sa thuajse e kanë bojkotuar.

Salianji ka ndërtuar një strategji që për mua është pozitive dhe e vetmja mënyrë. Po del në terren dhe po takon sa më shumë demokratë. Nëpërmjet kësaj tenton që t’i bëjë presion Kryesisë, pasi e vetmja mënyrë për t’u futur në Kryesi tashmë nuk është përmes zgjedhjeve. Nuk e lë Saliu. Thotë se është i vetëpërjashtuar Salianji.

Lapaj nuk mund të bashkohet me Saliun. Tani janë në konkurrencë me njëri-tjetrin se kush do qëndrojë më tepër në shesh. Asnjë alternativë nuk po sjellin. Perceptimi është që partitë e vogla tani po shkojnë drejt zeros. Partitë e vogla në mënyrën sesi kanë vepruar, e kanë djegur domosdoshmërinë e një poli të tretë në Shqipëri”, tha mes të tjerash Meçe.

Nga ana tjetër, Merkoçi tha se PD nuk është një parti e djathtë dhe sipas tij, as partitë e vogla opozitare nuk anojnë djathtas.

Kjo sipas Merkoçit bën që të jetë e vështirë lindja e një poli të ri politik në vend.

Merkoçi tha gjithashtu se protestat e thirrura nga PD dhe parti të tjera opozitare janë mitingje për të treguar se kush mbledh më shumë njerëz në shesh dhe se nuk i shërbejnë kauzave qytetare.

“Të gjithë e masin protestën me numrin, a erdhën 50 apo 60 persona. Protesta duhet të lidhet me kauzën. Ajo që unë kam thënë gjithmonë është se partitë politike nuk bëjnë protesta, por thjesht mitingje, për të treguar sesa njerëz mbledhin. Duke i ushqyer njerëzit se në protesta dilet vetëm kur të thërret partia, atëherë pastaj humbet besimi i njerëzve për të dalë vetë në protesta.

Poli i tretë duhet të ishte i djathtë. Përsa kohë neve na mungon e djathta, automatikisht do bjeri dhe nuk do krijohet dot poli i tretë. Sepse edhe kur është krijuar PD është krijuar si një forcë e djathtë, për t’ju kundërvënë të majtës, por rrëshqiti e doli në qendër. Tani të djathtë nuk ka”, tha Merkoçi.