Zjarrvëniet nuk e shpëtojnë dot një protestë që nuk mbledh njerëz. Kështu mendon socialisti Petro Koçi për tubimin e thirrur nga Sali Berisha të shtunën e 28 shkurtit, duke e cilësuar atë një “marshim fashist” që, sipas tij, kishte për qëllim të mbulonte numrin e vogël të pjesëmarrësve përmes akteve të dhunës, skena të cilat të kujtojnë vitin famëkeq të 97-ës.

Në një intervistë për Report TV, Koçi thotë se objektivi politik i menjëhershëm i Berishës është bllokimi i procesit të integrimit europian. Sipas tij, Berisha shpreson që lajmet ndërkombëtare mbi zjarrvëniet të krijojnë një perceptim negativ për Shqipërinë dhe të ndikojnë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në plan afatgjatë, deputeti socialist shprehet se synimi është frikësimi i qytetarëve.

“Qëllimi politik themelor i tyre është bllokimi i procesit të integrimit europian sepse Berisha shpreson që këto lajmet ndërkombëtare mbi zjarrvëniet e tij mund të shkaktojnë një gjykim ndryshe për shqipërinë, që mund të kthehehet në negativ dhe më pas të bllokojë procesin e integrimit. Ky është qëllimi imediat i Berishës ndërsa në planin afatgjatë ai mendon se duke frikësuar publikun, njerëzit do të fillojnë t’i nënshtrohen frikës, presionit dhe dhunës së tij dhe mundësisht në një proces votimi, që në zgjedhjet e ardhshme vendore, njerëzit për shkak të frikës të votojnë opozitën. Por mendoj që me këto akte ai bën të kundërtën. Edhe atë furgon votash që merr tani, kam frikë se do ta kthejë në një taksi votash” tha ai.

I pyetur për efektin që kjo situatë ka te mazhoranca, ai tha se Berisha po vetëofrohet si alibi për botën e korrupsionit, si në pushtet ashtu edhe në opozitë. 

““Ai po vetëofrohet si një alibi për të gjithë botën e korrupsionit , qofshin të korruptuar nga mazhoranca apo opozita, që të shërbejë si alibi politike për korrupsionin. Publiku kur sheh ngjarje të tilla, shpesh herë e toleron edhe një fenomen negativ si korrupsioni, në emër të stabilitetit. Shqiptarëve nuk u pëlqen të kthehen tek 97-a. Ata mund të tolerojnë një të keqe më të vogël, ndaj them që kjo opozitë me Berishën nën krye vazhdon të mbetet një referencë negative për demokracinë. Kjo i jep mundësi më të madhe mazhorancës që të vazhdojë pa u korigjuar ashtu sicc duhet të qeverisë vendin dhe të marshojë në qeverisje,” tha Koçi.