Quhet Zepe Bislim Muhadri dhe është 112 vjeç. Në Vlahan të Hasit ka rritur katër fëmijët e saj. E sot është djali, 75 vjeç që e ndihmon të mos shkëputet nga natyra që e do aq shumë!
Në fillim të janarit një pastiçieri në Gjakovë i kërkuan të bënte një tortë me një urim të thjeshtë: “Gëzuar gjyshe 112 vjetorin!” Për shefin e ëmbëlsirave ishte pothuajse e pabesueshme, askush nuk kishte festuar kaq vite jetë gjatë viteve të tij të punës.
“Pastiçieri më kërkoi një foto dhe të vinte ta shihte me sytë e tij. Nuk arrinte ta besonte”, tregon i biri 112 vjeçares.
Sot edhe vetë 112- vjeçarja habitet kur dëgjon këtë numër pasi 4-5 vitet e fundit mosha ia ka dobësuar kujtesën.
“-Ti je sot 112-vjeçe!
-Sa? - pyet Zepe Muhadri. “Aq shumë?” - thotë ajo duke buzëqeshur.
Megjithatë në mendjen e saj janë të ngulitura ende detaje që kanë shënjuar jetën e saj. Ajo e di se nga ka ardhur:
“Kam ardhur nga Prizreni.”
Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi mes dy kufijve shqiptarë. Për pesë vite jetoi në Prizren së bashku me familjen, ndërsa ishte e fejuar me Islamin nga fshati Vlahën. Por rrethanat e kohës ndryshuan gjithçka.
“Na përzunë. Na thanë shkoni në shtëpitë tuaja! Pas 5 viteve u kthyem në vendin tonë.” shpjegon nënë Zepe.
Familja u rikthye në Pogaj dhe pas mbylljes së kufirit në vitin 1948, lidhja me Prizrenin mbeti vetëm kujtim.
“U mbyll kufiri, nuk mund të shkonim më.’
Vlahën është 40 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe 3 kilometra larg kufirit me Kosovën.
Mbyllja e kufirit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1948, pas prishjes së marrëdhënieve Tito-Stalin, ndau tragjikisht mijëra familje shqiptare, duke ndërprerë lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës për dekada. Kjo ngjarje izoloi kufirin, ndau fshatra si Pogaj-Gorozhupi dhe shkaktoi ndarje familjare për pesë dekada, deri në vitet '90.
Zepa pati fatin që edhe familja e saj të shpërngulej në fshatrat e Kukësit. E duke qenë fshat kufitar i duhej të lëvizte gjithmonë me letërnjoftim. Pavarësisht kujtesës së dobët,112-vjeçarja ka të ngulitur në mendje rëndësinë e këtij dokumenti. Vazhdon ta ruajë të vjetrin edhe pse në ditët e sotme është e pajisur me kartë identiteti.
“E fusja këtë (letërnjoftimin) në xhep dhe shkoja tek vëllai e motra. Se nuk të lejonin pa këtë” shpjegon nënë Zepa duke treguar letërnjoftimin e vjetër.
“Tani shkojmë pa pasaportë”-thotë ajo me buzëqeshjen që e shoqëron në çdo bashkëbisedim.
Lindi dy vite pas shpalljes së Pavarësisë, në 2 janar të vitit 1914. Copëza të së kaluarës nuk kanë mundur t’ia fshijnë vitet e shumta. Gjatë pushtimit gjerman, ajo tregon se si motra e saj u plagos ndërsa përpiqej të kalonte kufirin për të shkuar për t’u kuruar në Kosovë.
-Motra ime u plagos në këmbë. E qëlluan prej së largu.
-Si silleshin gjermanët? - pyet gazetari.
-Diku mirë e diku keq, -përgjigjet 112-vjeçarja.
-Po pas çlirimit?
-Më keq ka qenë. Sot është më mirë! Atëherë ishim në skamje, tregon Zepa nga Vlahan i Hasit.
Në vitin 1941, u martua me shkuesi me Islamin. Martesa e saj ishte e thjeshtë, sipas traditës, por jeta që ndërtuan bashkë ishte e qëndrueshme.
“Ka punuar nëpër ara e gjithçka kishte fshati. Vinte në mbrëmje e ulej i lodhur”, tregon ajo për bashkëshortin e saj që ndërroi jetë në moshën 6- vjeçare, ndërkohë që ajo ishte 55 vjeç.
Nga kjo martesë lindën tre vajza dhe një djalë, Mehmeti 75 vjeç, i cili bashkë me nënën sot jeton në Vlahën të Hasit.
Zepa tregon se i ka rritur pa shumë mundim pasi u kishte siguruar ushqim të mirë dhe vend të për të fjetur.
“Kur s’kanë asgjë nuk rriten, ndërsa kur ke vendin e duhur, fluturon përpjetë,” thotë ajo.
Zepa ka punuar vetëm pesë vite në kooperativë dhe merr një pension modest. Të ardhurat nuk kanë patur rëndësi për të krahasuar me prodhimin që i jepte toka. Prandaj bënte gjithçka që të mos i mungonte asgjë fëmijëve të saj. Pjesa tjetër e jetës ka qenë e lidhur me shtëpinë, tokën dhe bagëtinë. Ajo kujton se shpesh linte punën në kooperativë dhe nxitonte për të mbaruar punët e shtëpisë.
“Merresha me pastrim, punoja tokën, të gjitha i bëja. Milja lopët, dhentë e dhitë, i sistemoja krejt e shkoja në punë pastaj.”
Për të, puna ka qenë mënyrë jetese. Edhe sot merr fshesën dhe pastron shtëpinë e oborrin, siç ka bërë gjithë jetën.
Pavarësisht se vitet ia kanë venitur shumë ngjarje të jetës, ajo di të bëjë dallimin e kohëve në të cilat ka jetuar. Dikur shtëpia ka qenë plot, sot familjarët mblidhen vetëm në ditë e raste të shënuara.
“Ka pasur kallaballëk, mbushej shtëpia plot. Tash kërkënd.” thotë ajo.
Sekreti i saj duket i thjeshtë, por i rrallë në kohët moderne. 112-vjeçarja nga Hasi nuk ka përdorur asnjëherë ilaçe.
“Jo, jo asnjëherë. Asnjë ilaç”, tregon Zepe Muhadri.
Vetëm ushqim të prodhuar vetë, pa kimikate, ajër të pastër, punë të përditshme dhe mbi të gjitha, një jetë të qetë.
“Po çfarë kam ngrënë, bukën, bulmetin… Rehat!”, thotë nënë Zepa.
Ndërsa i biri shpjegon më gjerësisht:
“Ushqimin e ka pasur bio, deri para 2-3 viteve bukën e bluaja dhe e bëja vetë. Stres nuk ka pasur sepse fëmijët kanë qenë të gjithë me shëndet të mirë. Nuk pati stres as prej familjes nga erdhi e as këtu. Nuk përdor asnjë kokërr ilaçi. Kur çohemi ndonjëherë natën, nuk i ndjen as kollë e asgjë.”
Të dhënat e Censit të vitit 2023 tregojnë se në Shqipëri jetojnë 364 qytetarë që kanë kaluar moshën 100 vjeç. Nga këta, 301 janë gra dhe vetëm 63 janë burra, një raport që pasqyron qartë diferencën gjinore në jetëgjatësinë e shqiptarëve. Gratë vijojnë të jetojnë më gjatë se burrat, një trend i njohur në të gjithë botën, por që në Shqipëri del në pah veçanërisht në moshat shumë të avancuara. Ky grup i rrallë përfaqëson një brez që ka kaluar më shumë se një shekull histori, duke jetuar gjatë periudhave më të trazuara të vendit.
Të dhënat mbi 100-vjeçarët në Shqipëri janë pothuajse të pamundura për t’u verifikuar 100 përqind. Për shkak të historisë së Shqipërisë, certifikatat origjinale në vitet 1900 shpesh mungojnë ose janë të dëmtuara, gjë që e bën të vështirë pranimin në listat globale
Zyra e Gjendjes Civile në Shqipëri dhe Bashkia Shkodër e kanë njohur zyrtarisht moshën e Zenepe Piranit, bazuar në dokumentet e regjistrimit të popullsisë. Ajo ka qenë e pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë që vërtetonin lindjen e saj më 10 maj 1910 dhe ndërroi jetë në korrik të vitit 2021 në moshën 111-vjeçare. Megjithatë nuk ka konfirmim nga organizatat kryesore ndërkombëtare të kërkimit gerontologjik.
Me letërnjoftim dhe kartë identiteti është pajisur edhe Zepe Muhadri nga fshati Vlahën të cilës nëse i vërtetohet datëlindja 2 Janar 1914 do të renditej e para në listën e personave më të vjetër në Shqipëri.
Ndërkohë në vite, mediat kanë raportuar edhe persona të tjerë të vjetër, si Hava Ruda nga Elbasani, e cila në vitin 2002 festonte 122-vjetorin apo si Tane Koleci që ndërroi jetë në moshën 116-vjeçare në zonën e ish-kënetës në Durrës.
Ndërkaq sipas arkivave, rekordin botëror që ka hyrë edhe në Librin Guiness e mban francezja Jeanne Calment (122 vjeç).
Të gjitha këto nuk i kanë interesuar as Zepës e as familjes së saj. 112-vjeçarja vazhdon të qëndrojë në këmbë me fizik të mirë duke shijuar ditët me diell në oborrin e shtëpisë. I biri 75 vjeç e merr përdore dhe e shoqëron gjatë gjithë kohës.
112 vite nuk janë vetëm një numër. Janë një arkiv i gjallë kujtimesh, nga koha e pas Pavarësisë, mbretëria e Zogut, vitet e luftës, izolimi i kufijve, ndryshimet e mëdha shoqërore, deri në ditët e sotme kur bota duket krejt tjetër.
Në shtëpinë e saj në Vlahën, mes heshtjes dhe ritmit të ngadaltë të fshatit, Zepe Beslim Muhadri mbetet simbol i qëndrueshmërisë, i forcës së grave të Hasit dhe i një brezi që jetoi shumë, foli pak dhe punoi pa u ndalur.
Në ditëlindje mblodhi rreth vetes fëmijët, nipërit e mbesat, stërnipër e stërmbesa. E qeshura në buzë dhe zemra plot ngrohtësi janë sekreti i saj më i vyer i 112 viteve jetë!
Komente












