Pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, 23 militantë protestues janë shoqëruar në policisë, ndërsa të paktën 11 efektivë kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.

Mes të shoqëruarve në Komisariatin numër 1 ishte dhe një i mitur i moshës 14-vjeçare, që fillimisht dyshohej se ishte 10 vjeç, i cili sipas bluve gjatë protestës është konstatuar duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të policisë.

“Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor”,- njofton policia.

Shoqërimi i 14-vjeçarit solli edhe reagime nga deputetët e PD-së, ndërsa disa prej tyre ishin edhe në Komisariatin numër 1 në Tiranë ku u përplasën me efektivët, si dhe kërkonin të takonin shefin e komisariatit, Elton Shani.

"Arrestimi i një fëmije vetëm për faktin se ndodhej në një protestë nuk ka asnjë bazë ligjore dhe tejkalon çdo kufi etik e moral. Ky nuk është zbatim i ligjit, por një keqpërdorim flagrant i autoritetit shtetërorKjo nuk është rend publik. Është dështim dhe degradim i institucioneve",- shkroi në rrjete soociale deputeti Bardh Spahia.

"Arrestimi i një fëmije vetëm pse ndodhej në një protestë kalon çdo kufi ligjor, etik dhe moral. Kjo nuk është zbatim ligji, por abuzim i hapur me pushtetin",- shkroi në rrjete sociale deputetja Jorida Tabaku.

"Një regjim që guxon të arrestojë një fëmijë 10-vjeç… Shtet horrash që mbron kriminelët dhe arreston fëmijët. Ky regjim ka kaluar çdo kufi, çdo moral, çdo njerëzi. Mjaft është mjaft! Fëmijët nuk preken",- shkroi në rrjete sociale deputetja Elda Hoti.

Rasti po hetohet edhe nga Avokati i Popullit, i cili ka dërguar përfaqësues në Komisariatin nr. 1, por edhe në rajonet e tjeratë policisë ku ka pasur persona të shoqëruar.


Lajmi kryesor:

Protesta e dhunshme e Berishës, 18 të arrestuar! 17 nën hetim, mes tyre Balliu, Boçi e Bardhi! 2 në kërkim (EMRAT)