15 persona janë arrestuar nga policia pas protestës së dhunshme të PD, ndërsa 9 prej tyre janë nën hetim në gjendje të lirë.
Mes të shoqëruarve ka pasur edhe 5 të mitur, por janë lënë të lirë.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç. Nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur”, bën me dije policia.
Nën hetim është edhe deputeti i PD, Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.
Protesta e 22 marsit prodhoi molotovë dhe fishekzjarre ndaj kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, pranë Bankës së Shqipërisë ku u shënjestrua selia e PS, por pa mundur të depërtohej. Berisha dhe protestuesit nuk mundën të arrinin dot parlamentin, pasi forcat e policisë krijuan gardhe sigurie.
Molotovët lënduan 6 efektivë të policisë, të cilët po marrin trajtim në QSUT dhe te Spitali i Traumës. Ata janë jashtë rrezikut për jetën. Mjetet piroteknike shkaktuan dëmtime në godina, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe 1 automjet policie.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në vepra penale gjatë tubimit.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike. Në reagim sqarohet se janë intervistuar personat e ndaluar gjithashtu dhe të lënduarit në spital. Avokati i Popullit njofton se do të publikojë një raport përfundimtar për përfundimit të hetimeve pas administrimit të ankesave të qytetarëve lidhur me pretendimet për dhunë nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Reagimi i Avokatit të Popullit
Raportime për dhunë policore dhe mungesë protokollesh në përdorimin e gazit lotësjellës Avokati i Popullit monitoroi përgjatë gjithë itinerarit protestën e opozitës të zhvilluar ditën e diel në kryeqytet.
Grupi i punës së institucionit vizitoi spitalet dhe komisariatet për të parë dhe intervistuar protestuesit e ndaluar apo të lënduar.
Nga të dhënat paraprake, të paktën 12 persona në moshë madhore janë ndaluar, ndërsa 4 të mitur u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.
Në Spitalin e Traumës, ekipi i Avokatit të Popullit administroi ankesën e një protestuesi që raportoi ushtrim dhune nga ana e policisë, për të cilën ka nisur hetimi përkatës.
Raporti e detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit administrativ.
Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se ndërsa inkurajon vetëm tubimet paqësore, i bën thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, pavarësisht dinamikës së protestës.
Gjithashtu thekson domosdoshmërinë për transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia për përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave si gazi lotsjellës apo uji.
Komente











