Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike. Në reagim sqarohet se janë intervistuar personat e ndaluar gjithashtu dhe të lënduarit në spital. Avokati i Popullit njofton se do të publikojë një raport përfundimtar për përfundimit të hetimeve pas administrimit të ankesave të qytetarëve lidhur me pretendimet për dhunë nga efektivë të Policisë së Shtetit.

Reagimi i Avokatit të Popullit

Raportime për dhunë policore dhe mungesë protokollesh në përdorimin e gazit lotësjellës Avokati i Popullit monitoroi përgjatë gjithë itinerarit protestën e opozitës të zhvilluar ditën e diel në kryeqytet.

Grupi i punës së institucionit vizitoi spitalet dhe komisariatet për të parë dhe intervistuar protestuesit e ndaluar apo të lënduar.

Nga të dhënat paraprake, të paktën 12 persona në moshë madhore janë ndaluar, ndërsa 4 të mitur u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.

Në Spitalin e Traumës, ekipi i Avokatit të Popullit administroi ankesën e një protestuesi që raportoi ushtrim dhune nga ana e policisë, për të cilën ka nisur hetimi përkatës.

Raporti e detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit administrativ.

Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se ndërsa inkurajon vetëm tubimet paqësore, i bën thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, pavarësisht dinamikës së protestës.

Gjithashtu thekson domosdoshmërinë për transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia për përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave si gazi lotsjellës apo uji.


Lajmi kryesor:

Protesta e dhunshme e PD, 15 militantë të arrestuar! 9 nën hetim, mes tyre dhe Klevis Balliu, shtyu të mitur në krim! 6 efektivë të dëmtuar nga molotovët