Ndër 16 efektivët e lënduar nga protesta e dhunshme e PD vetëm një ditë më parë (10 shkurt), tre prej tyre janë lënduar rëndë. Ata kanë marrë plagë të shumta nga djegiet e shkaktuara prej molotovëve të hedhur nga protestuesit.
Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Agron Çeli, shprehet për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV se efektet e këtyre bombave artizanale janë të rrezikshme dhe të pakontrollueshme.
“Tre punonjës policie janë në gjendje të rëndë në spital që sipas vlerësimit nga mjekët do të ketë edhe ndërhyrje pasi shkalla e djegies është e rëndë. Djegiet janë kryesisht në gjymtyrë, në pjesët e poshtme të trupit, por edhe lart. Efektet djegëse të këtyre lëndëve janë të rrezikshme dhe nuk mund të kontrollohen, është e vështirë kur je i ekspozuar”, tha Çeli.
Molotovët përmbajnë një lëndë djegëse si benzina dhe sipër vendoset një fitil. Në momentin që shpërthen, edhe shuarja e flakëve të shkaktuara prej tyre është e vështirë.
“Rrezikshmëria është e madhe pasi flaka e tyre është e pakontrollueshme. Edhe për t’u fikur, nuk mund të fiket nga pajisjet e thjeshta që mbajmë ne si punonjës policie, por edhe nga zjarrfikësit është e vështirë sepse flaka është e menjëhershme dhe e pakontrollueshme, sjell pasoja të rënda në objektin ku mund të përdoret, ndaj mjeteve dhe personave të ekspozuar. Shpërthimi jep efekte te dëgjimi, flaka mund të shkaktojë djegie të shkallëve të ndryshme dhe tymi jep efekt te personat e ekspozuar, gjithashtu edhe materiali. Në enë qelqi jep efekte në pjesë të ekspozuara ndaj personave që ndodhen në afërsi”, u shpreh drejtori.
Më tej ai shpjegoi se përdorimi i molotovëve përbën vepër penale që dënohet me 1-5 vite burg. Në rast se ka pasojë vdekjen ose lëndime të rënda, dënimi shkon nga 2-10 vjet.
Duke krahasuar protestën e 24 janarit me atë të 10 shkurtit, Çeli tha se për nga shkalla e agresivitetit, e fundit ishte më e fortë. Sulmi i protestuesve ishte i orientuar posaçërisht drejt efektivëve, tha ai, duke u mbështetur te pamjet.
“Ditën e djeshme kanë qenë më të mëdha sepse u përdorën në dy vende, para kryeministrisë dhe kuvendit. Sasia e tyre ishte e madhe. Ato janë bërë edhe me furnizime, pasi ka mbaruar furnizimi i parë, ka ardhur një tjetër që është përdorur nga tubuesit dhe jo kundër objektit, por kundër punonjësve të policisë. Pamjet atë japin, edhe fakti ai është. Janë hedhur kundër punonjësve të policisë, sidomos te kuvendi pasi nga rrethimi i jashtëm i godinës te kuvendi është distancë shumë e gjatë dhe nuk mund të arrihet që të hidhet me dorë lënda plasëse djegëse. Ajo u hodh në kordonët e punonjësve të policisë që u dëmtuan në qafë, në duar, në kokë dhe efektet janë të rënda”, tha Çeli.
Policia ka sekuestruar edhe 22 molotovë të pashpërthyer. Çeli tha se autoritetet kanë vepruar sipas procedurës standarde duke ndjekur hapat e njëpasnjëshëm. Në tensionet para kryeministrisë, nuk u përdor gaz lotsjellës, vetëm përpara kuvendit ku po rrezikohej seriozisht jeta e punonjësve të policisë.
“Policia e shtetit ka ndërhyrë sipas procedurave standarde. Fillimisht ka bërë thirrje që në momentin e parë që tubuesit kanë përdorur jo vetëm shtyrjen, por kanë hedhur molotovë. Është dhënë urdhri për të komunikuar me tubuesit për të ndaluar hedhjen e mjeteve djegëse. Pasi nuk është bërë kjo, është përdorur ujëhedhësi. Te kryeministria nuk është përdorur gaz lotsjellës. Tubuesit u shpërndanë, shkuan para Kuvendit. Atje me përshkallëzimin e konfliktit, pas 30 minutash kanë marrë furnizimin tjetër me lëndë djegëse dhe i kanë përdorur, i kanë hedhur kundër policëve. Policia e shtetit ka treguar durim dhe sipas procedurave, ka përdorur të gjitha mjetet për shpërndarjen e tubuesve sepse është rrezikuar seriozisht jeta e tyre”, tha ai.
Në fund, bëri edhe një thirrje për përfshirjen e të miturve në protesta duke thënë se diçka e tillë është krim.
“Është krim të përdoren minorenët në këto tubime, kryesisht kur janë edhe me rrezikshmëri sepse minorenët nuk dinë as rëndësinë, as çfarë është lënda djegëse dhe marrin përsipër për t’i përdorur ose për të marrë pjesë në këto tubime”, përfundoi Çeli.
Komente












