Një fëmijë i vogël u gjend në mes të gazit lotsjellës në protestën para kryeministrisë Ai u pa në shoqërinë e babait të tij, por policia ndërhyri menjëherë për ta larguar nga situata kaotike
Efektivët kishin hedhur disa herë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që kishte nisur sulme me gurë ndaj efektivëve, dhe e gjithë zona para kryeministrisë ishte mbuluar nga tymi.
Shefi i komisariatit numër 1, Ervin Hasrama, i ka bërë disa herë thirrje babait që të largojë fëmijën nga sheshi, por është përballur me refuzim. Madje me fjalët e rënda të babai: Le të na vrasin këtu!
Bulevardi është i mbuluar nga tymi e gurët nga përplasjet e dhunshme ndërsa babai në disa momente e tërheq fëmijën për krahu duke dashur të qëndrojë në mes të situatës së rëndë.
Gjendja e fëmijës është po ashtu e rëndë. Me një flamur kombëtar në dorë, i vogli shihet i trembur dhe i përlotur nga çfarë po ndodhte.
Edhe një prej vajzave protestuese, Arvina Lleshi, e njohur për pjesëmarrjen e saj në të ashtuquajtur “revolucioni flamingo” shihet në tentativë për të frenuar babain të hyjë së bashku me fëmijën mes turmës së dhunshme dhe policisë.
Madje në një moment babai është treguar i dhunshëm edhe ndaj saj duke e qëlluar në fytyrë.
Përballë rezistencës së pakuptimtë të një babai për të futur mes rrezikut të voglin e tij, shefi i komisariatit, i vendos djalit maskën e tij të antigazit, për ta mbrojtur.
As këtë gjest në mbrojtje të shëndetit të fëmijës, babai nuk e pranon, dhe i heq maskën nga fytyra.
Refuzim deri në fund. Edhe kur ambulanca mbërrin, babai i cili gjatë të gjithë episodit duket në gjendje të rënduar dhe shpreh vetëm revoltë me fjalë ndaj qeverisë, nuk pranon trajtimin mjekësor nga ekipi i emergjencës për djalin.
Efektivët e policisë, të paktën arritën ta bindin të largohet nga pjesa e pasme e kryeministrisë, ku situata ishte e qetë, derisa e larguan me një furgon policie.




