TIRANË- Dy protestuesit e arrestuar për aktet e dhunës në protestën para Kuvendit të enjten e 23 korrikut janë liruar nga qelia. Vendimi është marrë sot nga gjyqtarja Amarilda Sulaj, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të caktuar ndaj dy protestuesve masën ndalim i daljes jashtë vendit.
Në protestën e së enjtes mbetën të lënduar 6 efektivë policie, ndërsa dy protestuesit Artemisa Islamaj dhe Orion Peçi kanë përdorur kapsolle në drejtim të uniformave blu.
Artemisa Islamaj, sipas burimeve pranë policisë, sillte kapsollat për protestuesit e tjerë, ndërsa Orion Peçi është autor i dyshuar i dëmtimit të efektivit të Shqiponjave me kapsollë, të cilën fillimisht e futi në një shishe plastike dhe e hodhi drejt policit.
Përveç tyre, nëpër komisariatet e Tiranës u shoqëruan për t’u marrë në pyetje edhe 30 protestues të tjerë, një pjesë e të cilëve do të hetohen në gjendje të lirë. Mes tyre ishin Dritan Goxhaj, i ndaluar më herët në një prej 2 protestave para Kuvendit, dhe Edison Lika, ndër më aktivët në protestën e ashtuquajtur “Revolucioni Flamingo”, por u lanë të lirë brenda pak orësh.
Komente











