TIRANE- Rreth 7 orë ka zgjatur protesta e drejtuesve të furgonave, e cila kulmoi në orën 13:00 me grumbullimin e të gjithë shoferëve para kryeministrisë, ku me thirrjet “Na lini të punojmë” dhe  “Anuloni ligjin” kanë kërkuar një reagim, apo një takim me përfaqësues të kryeministrit. Në fjalën e mbajtur nga kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, është kërkuar nënshkrimi i një pakti social nga ana e qeverisë me drejtuesit e mjeteve. “Jemi këtu të nënshkruani një pakt social, kjo bëhet e mundur, ashtu siç nënshkruani në 12 të natës të ndryshoni ligjin e Kushtetutën. Kjo është demonstratë e bukës.

Të nënshkruhet një marrëveshje për t’i hapur rrugë paqes sociale. Çfarë kërkojnë këto, kërkojnë bukën z.Kryeministër dhe ju e keni për detyrë kushtetuese që t’i caktoni vendin e punës dhe t’i jepni angazhime në mënyrë që ata të mbajnë me bukë familjet e tyre”, u shpreh kreu i sindikatës para kryeministrisë. Ndërkohë që shumë prej protestuesve janë shprehur të revoltuar me Ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto, për etiketimet që ministri ka bërë për mjetet e tyre.

“Investimin që ne kemi bërë prej 15 milion lekësh për të blerë një furgon, ministri e quan kioskë. Po dakort jam unë ta heq këtë kioskë meqë kështu do ministri, por ai më parë të më sigurojë bukën për fëmijët e mi dhe të më dëmshpërblejë për investimin që kam bërë”, është shprehur për “Shqiptarja.com” një prej drejtuesve të mjeteve. 

Sërish protesta
Protesta para kryeministrisë ka vazhduar për disa orë për t’u ndërprerë me fjalën e mbajtur nga kreu i Sindikatave rreth orës 16:30. Sipas tij protesta e djeshme ishte vetëm fillimi i një revolte, e cila do të vazhdojë në ditët në vazhdim. “Protesta e radhës do të mbahet ose të mërkurën ose të enjten, kur vendi do të vizitohet, përkatësisht nga Presidenti Italian, Giorgio Napolitano dhe komisioneri për zgjerim Stefan Fyle dhe do të jetë njësoj si kjo e sotmja paqësore”, u kërkoi drejtuesve të mjeteve Kalaja.

Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)