TIRANE- Edhe pse ishin lajmëruar se ditën e djeshme nuk do të kishte seancë plenare, drejtuesit e furgonave 8+1, të mbështetur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, kanë zhvilluar protestën e tyre para selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Në protestën e cila nisi rreth orës 09:30 minuta, merrnin pjesë shoferët e furgonave të ardhur nga i gjithë vendi, bashkë me familjarët e tyre dhe një pjesë e të  larguarve nga administrata. Protestuesit mbanin në duart e tyre karafila të bardhë për të treguar se ishin paqësorë dhe kërkonin vetëm zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Gëzim Kalaja, e ka quajtur të paprecedentë anullimin e senancës parlamentare dhe të turpshme. “E pa precedente që deputetët të tremben, të mbyllin parlamentin, të anullojnë seancën plenare. Sot, në duart tona, ndodhen karafilat e bardhë, nuk ndodhen as bombat, as tritoli që ka pushtuar Shqipërinë. Ne nuk jemi kriminelë, jemi njerëz paqësorë. Kërkojmë dialogun social, tavolinën e bisedimeve. 35 ditë nga protesta kemi pasur mbështetjen e sindikatave. Ju keni marrë kredi, keni marrë borxhe, ju keni votuar në 23 qershor për ditë më të mira.

Deputetët e parlamentit shqiptar duhet të ishin takuar me ju dhe të dëgjonin kërkesat tuaja dhe sot Parlamenti Shqiptar duhet ta kishte kthyer seancën parlamentare dhe në qoftë se nuk do kishte Kuvend.”, deklaroi para Parlamentit Kalaja. Sipas kryesindikalistit, kjo mazhorancë do të zbatojë një ligj që nuk zbatohet prej 16 vitesh dhe që nuk është zbatuar nga 4 kryeministra, pasi e kanë ditur çfarë pasojash sociale do të sillte zbatimi injë ligji të atillë për drejtuesit e mjeteve. Sipas Kalasë, duhet që qeveria t’i lërë kohë shoferëve të furgonave të lajnë borxhet që arrijnë në shifrën e  2 milion e 800 mijë euro.

Protestë edhe para kryeministrisë
Drejtuesit e furgonave kanë kaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur më pas para selisë së kryeministrisë, ku kanë kërkuar dialog dhe tryezë diskutimi me Kryeministrin Rama. Shoferët e furgonave, në thirrjet e tyre, kanë kërkuar rikthimin e tyre të menjëhershëm në punë dhe dorëheqjen e Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto. Në fjalën e mbajtur para Kryeministrisë, kryesindikalisti Kalaja, i ka kërkuar shefit të mazhorancës Rama, të respektojë votuesit që e sollën në pushtet dhe të lërë mëritë për ata që nuk e kanë votuar.

“Zoti Kryeministër, në respekt të votës së 23 qershorit dëgjoi këto qindra protestues që janë para derës tënde dhe presin një zgjidhje nga ju. Ke premtuar që do jesh kryeministër edhe për ata që të kanë votuar edhe për ata që nuk të kanë votuar. Nuk kërkojmë dorëheqjen tënde por kërkojmë që të uleni dhe të krijoni tavolinën e bisedimeve.”, i është drejtuar kryeministrit Rama, kreu i sindikatës. Rreth orës 12:30 shoferët e furgonave 8+1 kanë përfunduar protestën e tyre, por kanë paralajmëruar se heshtja e qeverisë po i shtyn drejt grevave të urisë dhe akteve të tjera të rënda.

Ka më shumë se 35 ditë që drejtuesit e këtyre mjeteve janë në protesta për anullimin e ligjit të vitit 1998 që i detyron ata të kthehen pa pasagjerë. Edhe pak ditë më pare, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, kishte paralajmëruar se do të kishte protesta në ditët që vendi do të vizitohej nga Presidentit Italian Giorgio Napolitano dhe Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle.

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)