Ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli, është shprehur se protestat e organizuara nga PD nuk kanë asnjë lloj motivi, që të frymëzojnë qytetarët për të mbushur sheshin.

Komentet Agolli i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku u diskutua rreth protestës së sotme që pritet të zhvillojë Partia Demokratike.

Agolli tha se tubimi i sotëm mund të jetë më skandalozi që ka zhvilluar ndonjëherë PD, teksa theksoi se vetë lidershipi i PD-së me në krye 82-vjeçarin Sali Berisha, nuk ofron asnjë alternativë për qytetarët.

“Protestat në të gjithë botën janë legjitime. Motivi i protestës së PD-së në këto momente është një problem. Sepse kur ka pakënaqësi në një protestë mblidhen deri në 100 mijë vetë. PD po vjen duke u tkurrur. Në protestë dalin vetëm lidershipi, ata që kanë përfituar nga lidershipi. Kjo është në genin e shqiptarëve, që edhe nëse lideri është ultra kriminel, ne do bëhemi ultra tifozë. Ky i sotmi ndoshta do të jetë mitingu më skandaloz. Ne e ndjekim televizionin, e ndjekim shtypin, ndjekim njerëzit nëpër rrugë. Por s’kanë motiv. Edhe vetë lidershipi i PD-së, një 82-vjeçar nuk ka asnjë alternative për të ardhur në pushtet 82-vjeç. Lidershipi 82-vjeçar mbron vetëm familjen e vet”, tha mes të tjerash Agolli.

Nga ana tjetër, edhe aktivisti i PD Hamdi Skeja ka qenë në një mendje me Agollin, për mungesën e motovit që qytetarët të dalin në protestat e thirrura nga Berisha.

Duke i cilësuar protestat e organizuara nga PD si shou, Skeja shtoi se kupola drejtuese e PD-së nuk duhet t’i shohë kritikët si kundërshtarë, por si njerëz që ndohmojnë në forcimin e partisë.

“Protesta e sotme e PD-së s’ka asnjë mesazh, asnjë motiv, asnjë logjikë. S’ka asnjë të sotme dhe asnjë të nesërme më. Nuk ka asnjë lloj motivi. Sepse është skenari i shkruar. Kritikat s’janë kundërshtarë, por kritikat janë ato që të rritin. Këta nuk i kanë pranuar kurrë kritikat. Nuk ke më çfarë pret. Unë që i kam braktisur protestat, besoj se jam një ndër demokratët më të ndershëm, edhe pse s’kam përfituar kurrë prej partisë. Nëpër botë, protesta nis sot dhe përfundon kur rrëzohet qeveria. Nëse do të bësh shou, tjetër punë pastaj”, tha mes të tjerash Skeja.