Protesta e radhës e PD-së pati skenarin e zakonshëm, me molotovë e fishekzjarrë në fund të fjalës së kryetarit Sali Berisha. Më të paktë në numër, protestuesit u gjendën të befasuar nga reagimi i policisë, e cila nën drejtimin e drejtuesit të ri Skënder Hita, zbatoi një strategji të re, duke ndërhyrë me shpejtësi e duke shmangur përshkallëzimin.

Efektivët ndërhynë menjëherë për shpërndarjen e grupit të zjarrit duke përdorur ujë, gazlotsjellës dhe spraj, një taktikë që i dha rezultatet shpejt.

Deputeti Luçiano Boçi dhe anëtari i Këshillit Kombëtar Aulon Kalaja u ndjenë keq dhe u dërguan më pas në spital. Nga spraji u prekën edhe Flamur Noka dhe Klevis Balliu, i cili u largua nga protesta në lot për shkak të përdorimit të sprajit.

Ende pa nisur protesta, edhe makinat e policisë iu nënshtruan kontrolleve rigoroze për lëndë eksplozive para se të hynin në godinën e kryeministrisë.

Pamjet me dron të Report TV dëshmuan se edhe pse rikthimi në protesta ndodhi pas një muaji, kjo nuk i dha aspak dorë Berishës në mobilizimin e militantëve dhe shtimin e numrave.

Sinjali i tij i zakonshëm për të sulmuar kryeministrinë me molotovë pas përfundimit të fjalimit, mori përgjigje të shpejtë nga policia që i preu hovin grupit të zjarrit. Pas breshërisë së molotovëve drejt kryeministrisë, kupola drejtuese e PD bëri thirrje që protesta të zhvendosej te parlamenti, një skenar i parashikuar nga Hita.

Për këtë qëllim, një kordon policie, i shoqëruar nga një autobot uji u vendosën pranë Urës së Lanës, u zuri pritë protestuesve për të shmangur sulmet ndaj Kuvendit. Në afërsi të godinës, ndodhi edhe një përplasje mes efektivëve dhe militantëve, një moment që për këta të fundit shënoi një kapitullim në përpjekjen për të pasur një front të dytë ‘lufte.’

Policia sekuestroi edhe 45 bomba molotov të pashpërthyera, një tjetër strategji e Hitës që solli dështimin e skenarit të grupit të zjarrit për të sulmuar parlamentin pasi mbetën pa municione.

Në protestë u angazhuan rreth 1500 policë. Mbi 20 protestues u shoqëruan në komisariate. 9 të lënduar pati nga kjo protestë, 5 prej të cilëve efektivë dhe 4 protestues.