Për analistin Fitim Zekthi, protesta kombëtare e PD dje para Kryeministrisë ishte thjesht aktivitet partiak.

I ftuar në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv, ai tha se protesta nuk përfaqësoi një revoltë qytetare dhe as një mobilizim real të demokratëve. Analisti theksoi se demokratët janë shumë më tepër sesa numri i pjesëmarrësve në atë protestë.

‘Nuk arritën asgjë me atë protestë. Beteja kundër Ramës ishte zero beteja e brendshme ishte sukses. Nuk ishte as revoltë. Ishte një protestë e vogël. Nuk ishte protestë e demokratëve sepse demokratët janë shumë, ishte një aktivitet i PD që thirri edhe popullin. Kjo nuk bëhet për të rrëzuar qeverinë por për të rregulluar jetën e brendshme të partisë. Ky është thelbi i këtyre protesta nuk janë revolta të qytetarëve’, tha ai.

Zekthi deklaroi se protesta e PD nuk arriti të përcjellë asnjë mesazh politik. Sipas tij, një protestë duhet të jetë masive për të treguar se qytetarët janë të lodhur nga qeverisja aktuale.

‘Protesta duhet që të ishte e madhe për të dhënë një mesazh. Ta bënte kryeministrin të mendonte se populli është i lodhur nga kjo situatë. Që një protestë të ketë sukses dhe ajo nuk kishte, besueshmëria e lartë e organizatorëve dhe e lidërve, të vijoi pa ndërprerje dhe të rritet jo të bëhet më e vogël dhe kushti tjetër të bllokojë qeverisjen. Qytetarët e dinë se kjo protestë nuk thirret për ta, por ka qëllime të tjera’, tha ai.

Analisti ka komentuar edhe debatet për përjashtimin e Ervin Salainjit nga PD. Ai tha se sipas statutit të ri të Partisë Demokratike, nuk parashikohen përjashtime nga partia, por vetëm largime nga funksionet drejtuese.

‘Salianji ka organizuar një takim në Elbasan dhe këta thonë me ndihmën e Suel Çelën. Nëse kjo është e vërtetë duhen prova, prova shteruese. Sepse Berisha nuk mund të marr vendime në parti mbi thashetheme që qarkullojnë. Me statutin e PD që është ndryshuar mesa di unë nuk ka përjashtime nga partia por largim nga funksionet, nga kryesia, nga Këshilli Kombëtar’, tha ai.