TIRANË - Analisti Mentor Kikia foli në Report Tv për protestën e lajmëruar sot nga Berisha që do mbahet më 8 shkurt si dhe për primaret e PD-së. Kikia thotë për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’ se aksioni i PD-së nuk është mosbindje civile, pasi ka vetëm protesta të herë pas hershme.
'Protestat e PD nuk kanë lidhje me atë që quhet mosbindje civile. Mosbindja është proces i vazhdueshëm dhe nuk është aksion politik që ndërmerret herë pas here. Megjithatë PD e ka emërtuar mosbindje, por është një mjet si protesta që thërritet herë pas here nga PD. Ka ftuar protestën e radhës përtej emërtimeve të Berishës si më e madhja në Shqipëri. Nëse do jetë vërtetë e madhe, do shikohet. Do jetë e madhe nëse do ketë pjesëmarrje masive. Mosbindja civile është mosbindja që ti i bën shtetit tënd.'
Më tej foli për primaret, duke thënë se në partitë politike si PD mungon kultura e demokracisë dhe është lideri që dikton.
'Mbajtja e një procesi zgjedhor brenda partisë shumë e rëndësishme për një parti. Nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet primare or kandidatët për deputetë do ishte zhvillim i rëndësishëm politik. Një proces i tillë do i jepte frymëmarrje dhe do fuste garën dhe do krijonte njerëz më të pavarur. Primaret nuk kanë atë standardin e atij procesi zgjedhor që prodhon garë dhe meritokraci. Janë tentuar dhe më herët forma të tilla. Nuk kanë funksionuar. Mungon kultura e demokracisë, mungon tradita e këtij procesi. Janë mekanizmat e lidershipit që dikton dhe ata që do futen në lista. Ka pak kohë.'
Sakaq, komentoi edhe hatërmbetjet e drejtuesve të PD-së lidhur me primaret që do mbahen.
'Çdokush deri tani nëse kishte qenë me idenë që do jenë të sigurta në lista, kërkon të tërhiqet dhe ti nënshtrohet votës krijon hatërmbetje. Një pjesë e drejtuesve të partisë ishin kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Por Berisha e kishte premtuar dhe në çdo dalje publike vihej përballë pyetjes a do i zhvillosh primaret. Nën këtë presion vendosi ta zhvillojë këtë proces.'
Kikia shton se opozita duhej të kishte një ekip të përcaktuar nëse do qeverisë vendin që edhe votuesi të njihet.
'Opozita do duhet të përcaktohej edhe një pjesë e ekipit qeveritar që të dihet për kë do votojnë. Krahas akuzave për qeverinë dhe korrupsionin, do duhej të ketë alternativën si duhet ti zgjidhë këto probleme. duhet të jetë mënyra si ti përgjigjesh kësaj të keqeje. Në mungesë të këtyre elementeve demokratikë, fushatat shndërrohen në tallava politike, ku të gjithë shajnë të gjithë. duan të ndikojnë qytetarin duke mos shkuar te thelbi, ballafaqimi real mes dy projekteve politike që qytetarët të zgjedhin.'