Një veprimtari që dyshohet të jetë koordinuar për të goditur turizmin shqiptar është zbuluar nga Policia e Shtetit, për rastësi, sapo thirrje për sulme të tilla u bënë nga protesta. Janë mbi 10 mijë llogari të krijuara rishtazi, të cilat ditët e fundit kanë dhënë online vlerësime masive negative ndaj bizneseve në Shqipëri. Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita tha se një hetim ka nisur, dhe paralajmëroi se kush fshihet pas tyre do të marrë përgjegjësi penale.

***

"Ka një sulm kibernetik nga të gjithë protestuesit ndaj disa bizneseve që kanë ndërtuar bizneset e tyre duke marrë pronat shtetërore", tha Edison Lika. 

Kjo thirrje e artikuluar nga podiumi i protestës para kryeministrisë, është reflektuar menjëherë në një sulm ndaj bizneseve të turizmit në Shqipëri, hotele, restorante e bujtina dhe qendra tregtare. Në rrjetet sociale janë me qindra thirrje publike me emra konkretë biznesesh, nga më të njohurit në vend, për t’i bërë atyre vlerësime negative në faqet e tyre online, ose thënë ndryshe “review”. Ky mendim që lihet për një biznes a shërbim, është busulla e turistëve të huaj, kur zgjedhin një vend.

Policia e Shtetit, thotë se ka identifikuar deri më tani, mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, shumica të reja, nga të cilat gjatë ditëve të fundit po jepen vetëm përshtypje negative për bizneset vendase për të dëmtuar reputacionin online të tyre.

"Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar.  Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën", tha Hita. 

Shumica e këtyre llogarive janë me identitete false, dhe mes 10 mijë të tillave, vetëm 150 profile reale u identifikuan nga Krimit Kibernetik, në një proces verifikimi që Hita tha se vijon për të zbuluar se kush qëndron pas tyre. Për kryepolicin Skënder Hita, kjo situatë, nuk është e rastësishme.

"Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar”, tha Hita.

Ky sulm sipas Hitës, shkon përtej biznesit, dhe dëmton edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistike.

"Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar përceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit", tha Hita. 

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se nëse një aktivitet i tillë provohet se është i qëllimshëm, personat e përfshirë do të përballen me vepra penale, në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.

“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, vijoi Hita. 

Në emër të Policisë së Shtetit, Hita i bëri thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme, të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.

Për herë të parë, Hita iu përgjigj akuzave për dhunë nga ana e uniformave blu, në protesta dhe tha se një verifikim po bëhet edhe nga AMP.

"Në asnjë moment, Policia nuk ka ushtruar dhunë si në bllokun e sigurisë, apo gjatë momenteve që kanë qenë të shoqëruar gjatë komisariateve përkatëse", tha Hita. 

Në konferencë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, foli edhe për ngjarjen e dhunës në Fier ku 3 vajza, njëra 20-vjeçe dhe dy 15-vjeçare dhunuan një 17-vjeçare dhe filmuan gjithë aktin. Në ngjarje tha se ishte i përfshirë edhe një oficer Policie, i cili është pezulluar më herët nga detyra dhe sot ndaj tij është marrë masa e përjashtimit.

Kryepolici hodhi poshtë pretendimet se Policia e Shtetit po anashkalohet nga SPAK në operacione, nisur nga ekzekutimi i arrestit të Adi Çobës nga BKH në Durrës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:42
Dhunimi i të miturës në Fier nga 3 vajza, Hita zbulon detaje: Për këtë ngjarje u përjashtua nga radhët e 'Bluve' edhe një polic, hyri në marrëdhënie të panevojshme me autoret

 

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak ditë më parë në Fier, ku 3 vajza, njëra 20-vjeçe dhe dy 15-vjeçare dhunuan një 17-vjeçare dhe filmuan gjithë aktin. Në konferencën për media gjatë ditës së sotme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, tha se në ngjarje ka qenë i përfshirë edhe një oficer Policie, i cili është pezulluar më herët nga detyra dhe sot ndaj tij është marrë masa e përjashtimit.

Sipas Hitës, oficeri i Policisë ka hyrë në marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë dhunuar të miturën, duke cënuar rëndë imazhin e ‘Bluve’.

“Video që është transmetuar në rrjetet sociale dhe platformat e tjera është një video e rëndë ku shihen disa të mitura që kryenin veprime të dhunshme ndaj një personi tjetër. Policia ka kryer veprime proceduriale dhe janë dorëzuar materialet në Prokurori. Më pas nga hetimet rezultoi se njëra nga vajzat ka pasur rast të përsëritur dhune dhe është arrestuar ditët në vijim. Por hetimi nuk ka përfunduar këtu.

Nga hetimi ka rezultuar i përfshirë edhe një punonjës policie më vonë, për të cilin kemi marrë masën e pezullimit nga detyra dhe sot masën e përjashtimit për oficerin e policisë të përfshirë në veprime të pahijshme për një punonjës policie. Hetimet vazhdojnë dhe ne do marrim gjithë masat e nevojshme.

Oficeri i Policisë i përfshirë në ngjarjen e Fierit, nuk është se është evidentuar që ka nxjerrë videon apo e ka bërë publike për median, por pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardit dhe cënimit të rëndë të figurës që i ka bërë punonjësit të Policisë në krye të detyrës, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundra-ligjshëm ndaj të miturës tjetër”, deklaroi Hita.

Ora 14:21
SPAK anashkaloi Policinë në operacione? Hita: Aludime, agjentët e BKH kanë atribut ligjor të kryejnë veprime edhe vetë në terren

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita u pyet nga gazetarët nëse SPAK po anashkalon efektivët e policisë në operacione, duke i përmendur rastin e Adi Çobës i cili u arrestua nga vetë BKH. Hita tha se këto janë aludime, pasi Policia është në terren nëpër operacione. Sa për BKH, kryepolici u shpreh se kanë atribut ligjor që të kryejnë edhe vetë veprime në terren.

“Edhe në atë operacion, policia ka qenë prezent duke kryer një sërë veprimesh por ata kanë atributin ligjor si oficer i BKH të kryejnë veprime edhe etë në terren. S’ka vend për aludim. Kjo ka qenë zgjedhja që ata kanë menduar. Në vazhdojmë dita ditës të jemi prezent në operacionet policore. Është vetëm një aludim, ose hamendeshim që ndodh”, vijoi Hita.

Ora 14:19
Protesta/ Hita: Policia s’ka ushtruar dhunë, reagimi në proporcion me sulmin

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se policia nuk ka ushtruar dhunë, ndryshe nga çfarë pretendojnë protestuesit e shoqëruara. Gjithsesi ai thotë se AMP ka nisur një hetim për të verifikuar pretendimet.

Edhe për reagimin pas akteve të dhunës te Kuvendi, Hita thotë se ishte në proporcion me sulmin.

“Protesta është kryer brenda rregullave ligjore dhe ne kemi qenë në proporcion me sulmin. Ka një hetim të nisur nga AMP, verifikues, në lidhje me pretendimet që kanë personat që policia ka ushtruar dhunë. Në asnjë moment, Policia nuk ka ushtruar dhunë si në bllokun e sigurisë, apo gjatë momenteve që kanë qenë të shoqëruar gjatë komisariateve përkatëse”, tha Hita.

Ora 14:06
Zyrtarët e “VLEN” s’u lejuan të hyjnë në Shqipëri? Hita sqaron: Një person kishte probleme, 3 të tjerët u kthyen vetë pas

Kryepolici Skënder Hita ka sqaruar pretendimet që u qarkukulan dje në protestë se zyrtarë të Maqedonisë së Veriut nuk janë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Qafe Thanës me qëllim që të mos i bashkoheshin tubimit në Tiranë. Bëhet fjalë për deputetin dhe koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, si edhe një person tjetër.

Por, Hita sqaroi se njëri prej tyre ka pasur pengesa të ligjshme dhe nuk i është lejuar kalimi. Për këtë arsye edhe 3 zyrtarët e tjerë janë kthyer pas për në Maqedoninë e Veriut.

“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas për të kaluar kufi. Tre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u bë me dije që ata mund të vazhdojnë udhëtimin, por një person me ata, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër të katër personave nuk kanë pranuar që të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk është rast që është i veçuar. Kjo është puna e policisë kufitare. Gjatë vitit 2025 kemi kthyer dhe persona të tjerë, me 625 raste. Edhe gjatë gjashtë mujorit të parë kemi të evidentuar dhe të kthyer persona në 425 raste të tjera. Kështu që kjo është një punë e përditshme dhe nuk ka një vend për panik apo thuash që policia nuk ka qenë prezent dhe për të kryer detyrën e saj”, tha Hita.