Banorët e Velipojës vijojnë për të shtatën ditë protestën kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt ku ditën e sotme janë gjendur në dyert e prokurorisë e bashkisë në Shkodër, duke pretenduar se leja e ndërtimit është siguruar përmes falsifikimit të certifikatave të pronësisë.
Resorti “Blue Borgo” parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.
Zona ku po ndërtohet bën pjesë në Peizazhin e Mbrojtur Velipojë-Bunë, mes dy habitateve mjedisore: Lagunës së Vilunit dhe Monumentit Natyror të Ranës së Hedhun.
Imeldi Sokoli: Me vendimet ligjore të fundit dhe ndryshimet ligjore që janë bërë në kuadër të ndryshimit të kufijve të zonave të mbrojtura, ky resort është brenda zonës së mbrojtur që është kategoria e katërt e mbrojtjes në bazë të ligjit, pra është peizazh i mbrojtur.
-Është në kufi apo është brenda?
Imeldi Sokoli: Është brenda sepse kufiri i zonës së mbrojtur shkon deri në kufirin e bashkisë Shkodër dhe duke qenë se i gjithë projekti është brenda kufirit të bashkisë Shkodër, detyrimisht është pjesë e zonës së mbrojtur.
Po sipas tij, ndryshimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në shkurt të vitit 2024, duket se është bërë qëllimisht që Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave (KKTU) të marrë kompetenca për të dhënë leje ndërtimi edhe në zona të mbrojtura. Eksperti i zhvillimit territorial, Imeld Sokoli, tha se një projekt i tillë mund të sjellë ndikime të pakthyeshme mbi ekosistemin natyror të zonës.
Imeldi Sokoli: Në vitin 2024 me amendimin e ligjit të planifikimit të territorit në shtator 205, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave fiton kompetencën që të japë leje edhe në zonat e mbrojtura. Kemi një institucion kolegjial që merr kompetenca absolute mbi çdo instrument të planifikimit të territorit në Shqipëri. Nëse mund të themi që kemi një plan të përgjithshëm të bashkisë, është i miratuar në gjithë serinë e institucioneve, Këshilli mund të fitojë të drejtën që të japë edhe leje mbi gjithë planin e përgjithshëm.
-A janë marrë parasysh pasojat, çfarë pasojash sjell për natyrën, për ekosistemin?
Imeldi Sokoli: Pasojat janë shkatërrimtare. Kemi një ekosistem shumë të rëndësishëm, ligatinor, i cili është shumë i rëndësishëm për shumë specie dhe është korridor ekologjik për disa specie. Nga njëra anë kemi monumentin natyror të Ranës së Hedhun dhe nga ana tjetër kemi lagunën e Vilunit dhe ky korridor ekologjik lidh këto dy habitate natyrore që kanë gjallesat e tyre.
-Cili është roli i bashkisë?
Imeldi Sokoli: Nëse paraqitet një kërkesë për një leje ndërtimi të tillë, djo duhet të japë mendimin e saj. Pa u dhënë ende leja e ndërtimit nga këshilli, duhet të pyetet bashkia.
-Në rastin konkret është marrë apo është tejkaluar?
Imeldi Sokoli: Ne nuk e dimë, përderisa leja është zbardhur, mendimi është marrë sepse Këshilli nuk mund të japë një zbardhje të lejes së ndërtimit pa marrë miratim nga bashkia.
Komente












