Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” që shënon pikënisjen, qytetarët vijojnë protestën e tyre në ditën e 45-të. Marshimi i tyre nisi rreth 40 minuta pas orarit të grumbullimit.
Një dtë më parë, aktivisti Edison Lika sugjeroi që shqiptarët të braktisin pushimet verore, për t'iu bashkuar 'kauzës' së protestuesve, ndërsa aktivisti Andi Tepelena bëri thirrje për ndryshim të kodit zgjedhor, pasi sipas tij, ndryshimet e vitit 2008 kanë marrë peng demokracinë.
Lajm në përditësim...

Thirrjet e protestuesve para kryeministrisë kanë marrë tone të dhunshme, duke iu larguar qasjes paqësore të ditëve të para. Njëri prej tyre kërkoi që Forcat e Armatosura “të tërheqin zvarrë” kryeministrin.
“I bëjmë thirrje Forcave të Armatosura ta tërheqim zvarrë atë ndyrësirë nëpër rrugët e Shqipërisë. Kjo të jetë sa më e shpejtë. Ai është aty në krye dhe kërkon gjakderdhje nga shqiptarëve. Forcat e policisë dhe ushtrisë do të bashkohen me popullin se janë bijtë e tij”, tha protestuesi.

Edhe një tjetër protestues foli sërish për aktin normativ 4.2 mln euro për mbarëvajtjen e koncertit të Kanye West. Ai tha se me ato para do ishin blerë pajisje mjekësore.
“Lekët që i ke dhënë amerikanit, me to kishim blerë 47 ambulanca. Me këto 4 milionë euro kishim blerë deri në 8 mijë krevate dhe 5 mijë kondicionerë. Pacientët tanë do të ishin më komodë në spitalet tona. Por në ëndërr do t'i shohim këto pajisje, po nuk u rrëzua ky kryeministër”, tha protestuesi.
Organizatorja e protestës, Luciana Kokaj reagon pas tkurrjes së protestuesve në shesh. Ajo thotë se nuk do të numërohen numrat, por ditët që kanë qëndruar në shesh kundër qeverisë së Ramës.
“Nuk do numërohen numrat por ditët që jemi në shesh. Do numërohet se sa shumë u ka ardhur në majë të hundës shqiptarëve”, tha ajo.

Një protestuese riktheu sërish vëmendjen te koncerti i reperit amerikan Kanye West që u mbajt në Tiranë më 11 korrik. Ajo akuzoi Ramën se vodhi buxhetin e shtetit, duke dhënë 4.2 mln euro përmes një akti që e cilësoi antikushtetues. Ajo tha se Rama mendon se mashtron ndërkombëtarët me atletet e bardha, por ata e dinë se kush është.
"Ne jemi këtu për Shqipërinë, për t'i thënë stop tranzicionit 36-vjeçar. Ju s'mund ta mbani të ardhmen e popullit shqiptar peng. Shqiptarët dhe e gjithë bota e kanë kuptuar fytyrën e Ramës, mashtrues, i cili me atletet e veta kujton se do t'i mashtrojë liderët ndërkombëtarë. Ata e dinë kush jeni ju, që jeni një autokrat që keni vjedhur buxhetin bashkë me bashkëpunëtorët tuaj. Shembulli më tipik është kur i dhatë një këngëtari tallava 4,2 milionë dollarë. Është e turpshme të vidhni buxhetin në kundërshtim me Kushtetutën. Jeni manipulator i opinionit publik. Por tashmë ju ka ardhur fundi", tha protestuesja.
Komente










