Qindra protestues u mblodhën në Milano më 6 shkurt për të kundërshtuar praninë e agjentëve të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe mbylljen e shkollave dhe rrugëve në qytet përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Milanos-Cortinës. Departamenti Amerikan i Shtetit tha javën e kaluar se disa agjenci federale, përfshirë ICE, do të ndihmonin në mbrojtjen e amerikanëve që vizitonin vendin, një vendim që shkaktoi menjëherë protesta në Milano.
Më 6 shkurt , autoritetet italiane urdhëruan që shkollat në qendër të Milanos të mbeteshin të mbyllura dhe bllokuan hyrjen në disa zona të qytetit për të forcuar sigurinë rreth ceremonisë dhe për të lehtësuar trafikun.
Protestuesit, kryesisht studentë me pankarta ku shkruhej “ICE jashtë”, u mblodhën në sheshin 'Leonardo da Vinci', përpara një ndërtese të Universitetit Politeknik në pjesën lindore të qytetit. Një banderolë që kritikonte praninë e ICE-së, zv.presidentit të SHBA-së JD Vance dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio u mbajt në ballë të marshimit. Ata gjithashtu kundërshtojnë mbylljen e disa pjesëve të qytetit për atë që e shohin si Lojëra Olimpike të paqëndrueshme, ndërsa çmimet e banesave mbeten të papërballueshme dhe hapësirat sociale janë të pakta.
Mëngjesin e 5 shkurtit, grupi mjedisor 'Greenpeace' organizoi një protestë përpara Katedrales, duke protestuar kundër rolit të gjigantit italian të naftës 'Eni' si sponsor i Lojërave.
Lajmi kryesor:
Milano-Cortina 2026/ Flaka Olimpike mbërrin në 'Duomo', sot në orën 20:00 ceremonia hapëse në 'San Siro'! Shqipëria garon me 4 skiatorë










