‘Revolucioni Flamingo’ e ndërpreu hovin turistik thotë Kryeministri Edi Rama, teksa evidenton se pas 5 vitesh u regjistrua një ngecje e rritjes në hyrjet turistike në muajin qershor, e një sërë anulimesh.
“Në pesë vjet kam parë një grafik në ngecje, jo në rënie, ne ngecje muaj qershor. Në muajin qershor kemi 1% rritje dhe shumë anulime rezervimesh”, tha Rama.
Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja thotë se protestat goditën fort turizmin teksa pohon se në muajin e kaluar hyrjet e pushuesve u rritën 12 herë më pak se në muajin maj.
“Për pesë mujorin e parë të vitit kemi qenë gati në nivel 8.2% si rritje dhe pastaj vetëm në muajin maj kemi qenë gati 16% rritje në raport me vitin maj 2025 dhe pastaj kemi një qershor i cili na jep një rritje prej vetëm 1.2% dhe doja ta theksoja që është goxha shqetësuese, sepse në raport me vetë muajin maj-muaji qershor është mbi 12 herë më pak. Pra është një rënie shumë e konsiderueshme, dhe në raport me rritjen që kishim në raport në pesëmujor, është gati pra shtatë herë më pak. Pra kemi një goditje shumë të fortë”, tha Gonxhja.
Turizmi është një industri që varet nga perceptimi, ndaj Gonxhja thotë se duhet treguar kujdes me imazhin që krijohet për vendit përtej kufijve.
“Është vërtetë lokomotivë shumë e fuqishme, por është shumë delikate ekonomia e turizmit, sepse ka të bëjë shumë me perceptimin dhe ka të bëjë shumë me atë që njerëzit marrin nga larg, kjo së largu si perceptim për vendin ku ata duhet të vizitojnë”, tha Gonxhja.
Shifrat e INSTAT tregojnë se në maj në vend erdhën 1 milionë e 143 mijë shtetas të huaj ose 16% më shumë se në maj të 2025-ës, ndërsa në qershor rezulton se në vend kanë hyrë vetëm 1 milionë e 346 mijë, vetëm 17 mijë më shumë se vjet.
Ndërsa si periudhë 6 mujore shifrat tregojnë se vendi u vizitua nga 5 milionë të huaj, 6.2% në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pesë vende kanë pasur numrin më të dukshëm në rënie të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë qershorit, ku tre prej tyre janë të rajonit. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, vendi regjistroi 96,852 vizitorë më pak nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania e Turqia të marra së bashku.
Gonxhja shkruan se klima e krijuar nga protestat ka përcjellë pasiguri duke ndikuar te vizitorët. Thirrja e tij mbetet mbrojtja e turizmit nga axhendat stabilizuese e konfliktuale.
“Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sinjalizimet nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja”, shkruan Gonxhja.
Komente










Eshte vetem perceptim pasiguria, he Gonxhe? Po c'lidhje ka pr0testa me atentatet, vrasjet dhe plagosjet brenda ne spital?! Pr0testa i shkaktoi keto apo paaftesia juaj?!
Përgjigjupse nuk thoni qe edhe cmimet e larta???
PërgjigjuProtesta i solli njerzit u ngrit turizmi. Po notmale qe sdo vine njerzit per se te vine? Pa infrastrukture pa banjo pa dushe pa parkim. Lek majtas lek djthatas. Do vine te ulen te lokalet dhe resortet e atyre qe pastrojne leket dhe qe jane kriminel. Po po me ate mendje vazhdo zoti kryeminister.
Përgjigju