Protesta për Islamin, policia
nis hetimet për gratë e PS

Protesta  për Islamin, policia<br />nis hetimet për gratë e PS
TIRANE - Protesta para shtëpisë së deputetit Kastriot Islami, duket se do t’ju kushtojë kryetares së Njësisë 5, Kryetarës së Forumit të Gruas së PS-së për Tiranës dhe disa personave të tjerë. Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj tyre, pasi protesta e tyre është konsideruar e paligjshme.

“Nuk kishin marrë leje në polici. Po ashtu, nuk kishin lajmëruar askënd dhe për këtë arsye, protesta e para pak ditëve para shtëpisë së deputetit Kastriot Islami, ishte e paligjshme”. Kështu janë shprehur për Shqiptarja.com, burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, sipas të cilëve, sipas të cilave, për këto arsye, ka nisur dhe procesimi në gjëndje të lirë për disa prej drejtuesve të protestës.

Të njëjtat burime kanë pohuar, se hetimi në gjendje të lirë, ka nisur për Jeta Seitajn, kryetare e Minibashkisë numër 5; Violeta Kila, Kryetarja e Gruas së PS-së për njësinë bashkiake numër 5, Blerina Gjylameti, kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste për Tiranën. Po ashtu, sipas policisë së Tiranës, nën procedim, janë marrë edhe dy qytetarë, Kristaq Piluri dhe Ilir Lilaj, spektivisht 59 dhe 52 vjeç.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët po punohet për identifikimin e tyre, më datën 16.04.2013, rreth orës 18.00, në rrugën “Dora D’Istria”, kanë protestuar para hyrjes së pallatit, ku banon Deputeti i Kuvendit, shtetasi Kastriot Islami, për arsyen e votimit të tij në Parlamentin e Republikës së Shqipërsië.

Materialet hetimore ndaj të akuzuarve i kanë kaluar prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishje e qetësisë publike”. “Këtu banon tradhtari!”. Me të tilla parulla kanë protestuar pak ditë më parë, para shtëpisë së ish-deputetit të PS-së, Kastriot Islami, simpatizantët e Partisë Socialiste, kryesisht të rinj të FRESSH-it, të irrituar nga bashkimi i votës së tij me atë të demokratëve, një ditë më parë në Kuvend, për shkarkimin e komisionerit të LSI-së nga KQZ-ja. Ndërsa policia e ka konsideruar tubimin të paligjshëm dhe i ka shpërndarë protestuesit.

Protestuesit fyenin, shanin dhe brohorisnin kundër deputetit socialist, i cili në atë moment ndodhej në shtëpinë e tij, bashkë me familjen. “Kaçi i zi”, “Kastriot tradhtar”, “Këtu banon tradhtari” ishin disa nga pankartat që të rinjtë kishin sjellë me vete në këtë tubim. Në kor pjesëmarrësit nisën të thërrisnin: “Kastriot faqezi, kujt ia hodhe votën ti”.

Të shqetësuar nga këto thirrje banorë të pallatit dilnin në dritare për të parë me kureshtje pjesëmarrësit në këtë tubim. Të tjerë dilnin nga hyrjet e pallatit dhe largoheshin nga sheshi ku ishin mbledhur të rinjtë. Protesta ka zgjatur pak minuta sepse në vendngjarje kanë mbërritur disa makina të policisë që merren me ruajtjen e rendit.
Në krye të tyre ka qenë zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili u ka komunikuar protestuesve se tubimi ishte i paligjshëm sepse nuk ka pasur leje. Pas afro gjysmë ore, protesta është shpërndarë nga policia e Tiranës, e cila e ka konsideruar të paligjshme protestën e të rinjve të PS-së.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara