Partia Demokratike ka thirrur sot protestë para kryeministrisë, ku pritet të ngrihet një foltore, ku qytetarë e figura politike do të mbajnë fjalime. Berisha thotë se kjo protestë ka vetëm një kërkesë, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë. Berisha tha se ky është hapi i parë për të ecur drejt një qeverie teknike.

“Sot, populli opozitar inauguron fillimin e foltores së parlamentit parlamentaro-qytetar para ndërtesës së kryeministrisë me kërkesën e prerë dhe të vetme, dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut si hapi i parë për të ecur drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kjo protestë thirret në kushtet kur opozita bëri gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Por qeveria bëri gjithçka për të shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të shëmtuar zgjedhore. Duke u faktuar kështu shqiptarëve dhe botës se shpresë për ndryshimin e pushtetit me votën e lirë nuk ka për sa kohë Edi Rama të jetë kryeministër”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse protesta para Kryeministrisë ka lidhje me thirrjen e tij nga SPAK për 21 janarin, Berisha e mohoi, duke lënë të nënkuptuar se është thjesht një rastësi.

“Kemi të bëjmë me një konfiskim të plotë të parlamentit.Atëherë cila është zgjidhja? Parlamenti në shesh.  Ta vijmë tek ajo thirrja. Nuk mund të ketë asnjë lidhje. E kam thënë, e them, absolutisht për çdo gjë, sa  herë të thirrem unë do të shkoj, qoftë në gjykatë, qoftë në prokurori. Sepse ai është ligji jashtë të cilit sistemi nuk mund të funksionojë, dhe unë nuk kam refuzuar kurrë ftesën për tu paraqitur.

Në radhë të parë shtro pyetjen ti. Pse nuk u thirr Sali Berisha 12 vite pasi iku nga pushteti? Kush e pengoi. Nga viti 2013, çështja është hetuar, nga 2013 e gjer para dy javësh, pse nuk u thirr, kush e pengoi”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Berisha ‘foltore’ para Kryeministrisë, braktiset nga militantët! Kreu i PD: Të dorëhiqen Rama e Balluku, do shpëtojmë Shqipërinë