Dhjetëra banorë të fshatit Grash të Njësisë Administrative të Dajçit në Lezhë, kanë protestuar para ambienteve të prefekturës, me pretendimin se po ju grabitet prona e trashëguar nga të parët.
Sipas tyre janë afro 70 hektarë tokë bujqësore në fshatin e tyre, e cila është zaptuar nga një firmë private. Banorët thonë se toka në fjalë është shfrytëzuar gjatë gjithë kohës prej tyre dhe do ta mbrojnë atë me çdo kusht.
Shteti në bashkëpunim me firmat fantazmë, i kanë marrë e shfrytëzuar tokat. I kanë bërë një rrethim, është tokë e fshatit tonë dhe është shfrytëzuar, shqetësimi më i madh është se ne do shkojmë në konflikt, në gjakderdhje. Është toka e të parëve tanë.
Banorët e Lezhës
Në lidhje me këtë çështje një përfaqësi e banorëve u takua me prefektin e Lezhës, Gjergj Prendi. Ky i fundit tha se do ta referojë çështjen pranë instancave qeveritare dhe shumë shpejt banorët do të marrin një përgjigje ligjore.
Në emër të institucionit të prefektit iu siguroj se do të keni një përgjigje ligjore, do të flas që sot me drejtuesit e drejtorisë së policisë së qarkut. Unë iu rekomandoj të gjitha shqetësimet që keni dhe akuzat e drejtpërdrejta për këdo, akuzat në prokurori, jo llafe as tek prefekti, as nëpër ambiente të tjera private.
Gjergj Prendi, Prefekt i qarkut Lezhë
Ndërkohë sipas informacioneve të marra në prefekturë, toka në fjalë rezulton të jetë pronë shtetërore, dhe Ministria e Bujqësisë ia ka dhënë me qera një firme private për shfrytëzim.