Protestë kundër qeverisë në bulevard dhe festë për 35-vjetorin në Sheshin “Italia”. Kjo është axhenda politike e kësaj të premteje në Tiranë, ku qytetarët dhe mbështetës të partisë socialiste do të mblidhen paralelisht në dy aktivitete të ndara, por që do të ndikojë në qarkullimin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Për këtë arsye, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të detajuar masash për mbarëvajtjen e tubimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe aktivitetit të Partisë Socialiste në Sheshin “Italia” dhe mbi të gjitha për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë të dy aktiviteteve.
Sipas policisë, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Kështu, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Hasim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji” dhe në segmentin e rrugës “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.
Gjithashtu, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia e Tiranës u ka bërë apel qytetarëve për mirëkuptim, duke i këshilluar të përdorin akset alternative të lëvizjes dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve në terren.
Komente



