Protesta për Zvërnecin që sot vijon në ditën e dhjetë të saj, është organizim i partive opozitare për të goditur kryeministrin Rama. Arben Meçaj shprehet në “Repolitix” në Report Tv se për to është e qartë se nëse Rama nuk kthehet në objektiv, do të vijojnë të mbeten në opozitë.

“Nëse ditën e parë të protestës ishim në pikëpyetje për të kuptuar çfarë po ndodhte, çfarë ishin këta njerëz, na rezultoi që kemi të bëjmë me kakofoni lëvizjesh politike. Nëse nuk goditet Rama, do të vijojnë të jenë në opozitë dhe është normale që gjithë ky faktor të unifikohet për të vënë një objektiv, Ramën dhe gjithë strukturat organizative të tyre të jenë në shesh. Të gjitha këto parti tentojnë ta kanalizojnë këtë proces drejt një lëvizjeje politike me synim goditjen e Ramës”, tha Meçaj.

Megjithatë, sipas tij ka edhe dy pista të tjera që mund të jenë ‘organizatoret’ e mundshme të protestës.

“Një pistë tjetër është lëvizja për të penguar investimet strategjike. Një pistë tjetër ka të bëjë me idealistë, njerëz që kanë probleme me sistemin”, tha Meçaj.

Ndryshe prej tij, Adriatik Kthupi ndan mendimin se organizatorët e protestës janë vetë të rinjtë. Ky brez është rritur jashtë politikës, ndërsa figurat politike iu bashkuan protestës më vonë. Por Meçaj kundërshton pasi vetëm një ditë më parë u konstatua edhe prania e të rinjve të PD dhe punonjësve të televizionit të familjes Berisha, Syri Tv që mbajtën fjalime e më pas mbyllën mikrofonin për qytetarët.

Adriatik Kthupi: Për të gjithë njerëzit që nuk kanë qenë ndonjëherë në protestë, dilni dhe bëni 5 biseda me të rinjtë dhe do të kuptoni kush është shpirti i vërtetë i protestës. Rrini dhe diskutoni, janë njerëz që janë në gjendje të diskutojnë.

Arben Meçaj: Kam diskutuar unë!

Adriatik Kthupi: Kur?

Arben Meçaj: Ti po bën thirrje bullizuese! Unë dal pastër fare në rrjet. Dje e pashë përgjigjen qartë, kur kryetarja e FRPD drejtonte.

Adriatik Kthupi: Zbrit te sheshI!

Arben Meçaj: Unë ata njerëz...

Adriatik Kthupi: Kam qenë pothuajse përditë, kam folur për të kuptuar pse. Është një brez që ka qenë jashtë jetës politike shqiptare, që është ndërgjegjësuar që ky sistem nuk krijon të ardhme për ta.

Arben Meçaj: Unë shoh Arlind Qorin aty!

Adriatik Kthupi: Këta iu bashkuan protestës kur protesta u bë e madhe!

Arben Meçaj: Sot në media, në mbrojtje të kësaj proteste unë shoh njerëz që janë marrë me politikë dhe titullarë të partive politike. Këta, kush i komandon?