TIRANË- Protestuesit janë rikthyer me akte dhune nëpër rrugët e Tiranës prej orëve të para të mëngjesit. Grupe nxënësish e studentësh kanë bojkotuar mësimin, por në krye të akteve vandale janë protestues të maskuar. Ata kanë nisur shkatërrimin, duke djegur koshat e plehrave në mes të rrugës së Elbasanit dhe duke shkulur tabelat e thyer semaforët.
Protestuesit po marshojnë në disa rrugë, një pjesë shkuan edhe te Kuvendit, ku u anulua seanca plenare. Policia ka nisur me shoqërimet e para.
Lajmi në përditësim...
Disa studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protestë, në shenjë solidariteti me studentët protestues në Tiranë. Gjatë tubimit para Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ata qëlluan me vezë derën e godinës, ndërsa paralajmëruan se protestat do të vijojnë.
Protesta nisi në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, nga ku studentët marshuan drejt Bashkisë së Shkodrës dhe më pas u ndalën para godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Gjatë grumbullimit, studentët shprehën pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve “Turp!”, ndërsa një pjesë e tyre qëlluan me vezë derën e Rektoratit.
Studentët deklaruan se do të vijojnë protestat, duke theksuar mbështetjen dhe solidaritetin me protestuesit në Tiranë.
Protestuesit marshuan në rrugën e Elbasanit duke bllokuar qarkullimin për pak kohë në njërin kah. Disa protestues shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat në mes të rrugës. Ata u ndalën edhe te shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe bënë thirrje për bojkot mësimi.
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë. Tanimë i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”
Kur kaluan pranë një dege të Partisë Demokratike, deklaruan “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite!”
Pika fundore duket se do të jetë godina e rektoratit.

Pas dy ditësh protestash të dhunshme në Tiranë, janë regjistruar 3 procedime penale. Tre prokurorë po hetojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunës.
I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.
Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.
Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.
Në Durrës, një grup i jashtëm organizator që nuk i përket universitetit “Aleksandër Moisiu” po bëjnë thirrje për bojkotim të mësimit. Atyre u janë bashkangjitur disa dhjetëra studentë që po shkojnë nëpër fakultete dhe bëjnë thirrje për bojkot si dhe përsërisin “Rama jepe dorëheqjen.”
Në plan kanë një marshim në këmbë nga universitet “Aleksandër Moisiu” në qendër të Durrësit në mbështetje të protestës në Tiranë.
Edhe gjimnazistë e studentë në Elbasan kanë nisur të grumbullohen duke bojkotuar mësimin për të vijuar më pas me protestën.
Të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës kanë nisur me bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar protestës.
Disa gjimnazistë kanë shkuar te Hoteleri-Turizmi duke u bërë thirrje “bashkohuni me ne!”
Afër gjimnazeve “Ismail Qemali” e “Partizani” kanë nxjerrë në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke u vënë flakën, si dhe po hedhin fishekzjarre.
Edhe nga shkollat e Kamzës ka bojkot të mësimit me thirrjen “të gjithë së bashku!”











Komente
Komento