Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në Tiranë, për shkak të dhunës së protestuesve gjatë këtyre 6 ditëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka theksuar se institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë e kanë dënuar dhunën dhe kanë bërë thirrje për dialog mes palëve.
Në reagimin e tij, Braçe përmend qëndrimet e Komisionit Evropian, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Parlamentit dhe Qeverisë së Nxënësve, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Braçe nënvizon se dhuna nuk mund të jetë alternativë apo zgjidhje për asnjë kauzë politike, ndërsa thekson rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të protestës paqësore.
Ai e lidh rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve me përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në fund të reagimit, Braçe përcjell mesazhin se shpresa, dhe jo frika, duhet të jetë e ardhmja.
Reagimi i Erion Braçes:
1. Komisioni Evropian – qeveria e Bashkimit Evropian, dënoi pak më parë me forcë dhunën dhe zjarrvënien, shkatërrimin e institucioneve publike dhe të pronës private në Tiranë, si dhe apeloi për dialog;
2. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënoi po ashtu dhunën dhe apeloi për dialog që zgjidh problemet dhe rikthen paqen e mirësinë mes njerëzve; Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, një ditë më parë, dënoi me forcë dhunën dhe apeloi gjithashtu për dialog;
3. Parlamenti dhe Qeveria e Nxënësve sot dënuan dhunën dhe apeluan që të dëgjohet zëri i tyre për shqetësimet e tyre të tanishme, por edhe të studentëve, statusin e të cilëve do ta kenë së shpejti; kërkuan dialog dhe zgjidhje;
4. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje – për herë të dytë brenda pak ditësh – dënuan ashpër dhunën dhe kërkuan dialog konstruktiv mes palëve;
Pra, shoqëria këtu, në këtë vend, por edhe partnerët tanë më të mëdhenj ndërkombëtarë, po e refuzojnë dhunën, po e izolojnë dhunën; nuk e pranojnë si alternativë dhe si zgjidhje – të gjithë po e thonë shumë qartë.
Nuk ka kauzë apo projekt partiak që legjitimon dhunën!
Bota ka zgjedhur rrugë tjetër, garanton, doemos, lirinë e shprehjes dhe të protestës, por në mënyrë paqësore, ndërkohë që komunikon, dialogon dhe zgjidh – kjo është rruga.
Komisioni Evropian vinte sot theksin te vendosmëria që vendi ka dhe te përparimi i rëndësishëm që Shqipëria po bën drejt anëtarësimit në BE – ky është projekti politik kombëtar dhe i Evropës për Shqipërinë; rrugë tjetër nuk ka.
Dhuna sjell frikë dhe frika nuk duhet të jetë e ardhmja; shpresa është e ardhmja që ka shtyrë përpara popujt, edhe ne!
Lajmi kryesor:
Sulmi në PS, Balla: U organizua nga Berisha, Shehaj e Qorri! Koçiu: Vendi ka nevojë për dialog! Vengu: Të dëgjohen kërkesat






