MEKSIKË - Shtatë ditë para se Mexico City të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, protesta masive të mësuesve dhe gjyqtarëve në pension, bllokime rrugësh dhe punime të minutës së fundit kanë shkaktuar kaos në kryeqytetin meksikan, duke detyruar miliona banorë të përballen me vonesa të gjata dhe devijime të ndërlikuara në lëvizjet e tyre të përditshme.

Më 11 qershor, Mexico City do të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin 'Azteca'.

Ndërsa Meksika ndodhet në qendër të vëmendjes globale, mësuesit dhe grupe të tjera protestuese kanë organizuar marshime dhe kanë bllokuar arteriet kryesore të qytetit. Ata kanë deklaruar se protestat e tyre, të cilat nuk lidhen me turneun, mund të përshkallëzohen nëse qeveria e presidentes Claudia Sheinbaum nuk i adreson kërkesat e tyre.

CNTE, krahu disident i sindikatës kombëtare të mësuesve, ka paralajmëruar demonstrata masive edhe gjatë ceremonisë së hapjes së Kupës së Botës. Sindikata kërkon që qeveria të përmbushë premtimin elektoral për shfuqizimin e ligjit të vitit 2007, i cili reformoi sistemin e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit e sektorit publik, si dhe të miratojë rritje pagash.

“Qeveria aktuale kishte marrë një angazhim gjatë fushatës, si administrata e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador, ashtu edhe presidentja Sheinbaum, për ta rrëzuar atë reformë, por kjo nuk ndodhi kurrë,” tha Rodrigo Arias, një mësues nga shteti jugor i Oaxacas me 40 vjet përvojë në arsim.

“Ka neglizhencë. Ka një politikë të shtyrjes së afateve dhe të premtimeve që nuk mbahen kurrë. Ne do të vazhdojmë mobilizimin derisa të dëgjohemi, edhe pse Kupa e Botës është pranë,” shtoi ai.

Protestat janë përqendruar kryesisht në bulevardet e njohura Insurgentes dhe Paseo de la Reforma, dy nga rrugët më të rëndësishme dhe më të ngarkuara të kryeqytetit. Në zona të tjera të qytetit, mësuesit po bllokojnë gjithashtu rrugë të ndryshme, duke shkaktuar bllokim të trafikut dhe pakënaqësi te qytetarët.

Të martën, protestuesit rrëzuan statuja gjigante të futbollistëve të vendosura në Paseo de la Reforma. Arias theksoi se personat përgjegjës për këtë akt nuk ishin pjesë e sindikatës dhe se CNTE nuk synon të shkatërrojë pronën publike apo të provokojë përplasje.

Megjithatë, shumë biznese përgjatë bulevardit kishin ngritur deri të mërkurën barriera metalike dhe druri për të mbrojtur ambientet e tyre.

Presidentja Sheinbaum deklaroi gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp se nuk do të binte pre e provokimeve dhe nuk do të urdhëronte ndërhyrje të forcave të sigurisë kundër protestuesve.

Në qendrën historike të Mexico Cityt, edhe gjyqtarë dhe magjistratë në pension po protestojnë, duke kërkuar pagesa kompensuese dhe pensione pas reformës së gjerë gjyqësore të vitit 2024, e cila ristrukturoi sistemin e drejtësisë në vend.

“Situata e trafikut po na dëmton shumë, po humbasim tepër kohë,” tha Armando Escobedo, një shofer shpërndarjesh, ndërsa përpiqej të shmangte rrugët e bllokuara. “Duhet të tregosh mirëkuptim për mësuesit, por protestat e tyre na dëmtojnë edhe ne në punë.”

Meksika do të organizojë gjithsej 13 ndeshje të Kupës së Botës, pesë në Mexico City dhe nga katër në Guadalajara dhe Monterrey. Përpara turneut janë realizuar disa projekte infrastrukturore, por shumë punime mbeten ende të papërfunduara.

Rinovimet në aeroportin 'Benito Juárez', aeroportin më të madh dhe më të ngarkuar të vendit, si dhe riparimet në sistemin e metrosë dhe rrugët kryesore të kryeqytetit nuk kanë përfunduar ende. Të martën, një strukturë metalike e një ure këmbësorësh në aeroport u shemb, duke plagosur një drejtues automjeti.