Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e 14 personave të arrestuar në lidhje me protestat antiqeveritare që prej 6 ditësh po mbajnë vendin mbërthyer, duke vendosur për të gjithë masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Vendimi është marrë këtë të diel, më 18 tetor, pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për personat e dyshuar për shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme. Në njoftimin zyrtar nuk përcaktohet data e protestës për të cilën janë arrestuar.
Prokuroria kishte kërkuar detyrim paraqitjeje për 10 persona dhe arrest shtëpie për katër të tjerë, por gjykata e ka pranuar vetëm pjesërisht kërkesën, duke caktuar detyrim paraqitjeje për të 14, mes të cilëve edhe një i mitur.
Personat për të cilët gjykata vendosi detyrim paraqitjeje janë H. D., F. D., L. M., E. D., I. K., E. D., E. Q., S. D., F. M., I. G., Xh. K., M. K., L. B. dhe K. K. Mes tyre është edhe një i mitur, me inicialet L. B.
Për dy prej tyre, me inicialet I. G. dhe K. K., gjykata ka vendosur edhe ndalimin për t’u afruar në një distancë më të vogël se 500 metra nga ndërtesat e institucioneve publike. Gjithashtu, ata nuk lejohen të qëndrojnë në sheshe apo mjedise publike ku zhvillohen protesta dhe tubime, pa autorizim paraprak të gjykatës.
Ndaj personit me iniciale I. G. është vendosur edhe ndalimi i daljes jashtë Shqipërisë, si dhe detyrimi për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit.
Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave, me kusht që të mos mbahen të ndaluar, të arrestuar apo të dënuar për ndonjë vepër tjetër penale. Vendimi mund të ankimohet brenda pesë ditëve nga e nesërmja e njoftimit.








Komente
Komento