Të shqetësuar mbi gjendjen e vështirë të krijuar nga protestat e këtyre ditëve në kryeqytet, komunitetet fetare në vend dënojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për çtensionimin e situatës mes palëve. Në një deklaratë publike Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet se shmangia e dhunës është përgjegjësi e përbashkët.

"U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje", tha Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

KMSH deklaron se Shqipëria është shtëpia e të gjithëve dhe se dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.

"Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve", shtojnë ata.

Mesazhe për ruajtjen e qetësisë dha sot edhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare. Në meshën e mbajtur në Katedralen ‘Ngjallja’ në Tiranë, Kryepeshkopi Joan tha se në këtë situatë vendimet duhet të jenë të urta dhe të pjekura.

“Lutemi që Perëndia t'i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe  të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t'i dëgjojë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Kryepeshkopi Joan.

Më herët dhe Kisha Katolike, duke dënuar pa rezerva dhunën në protesta tha se autoritetet kanë përgjegjësi për të dëgjuar qytetarët. Në mesazhi i tij në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës, Arqipeshkvi Giovanni Peragine deklaroi

"Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj", tha Arqipeshkvi Giovanni Peragine

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:22
Protestat e dhunshme, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Të shqetësuar, shmangia e dhunës është përgjegjësi e përbashkët!

1792340655_zdfyhio.JPG

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar mbi situatën e tensionuar në vend, për shkak të protestave të dhunshme që po zhvillohen për të gjashtën ditë kundër qeverisë.

KMSH ka shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

Teksa ka bërë thirrje për shmangien e dhunës, KMSH thekson se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet me dialog konstruktiv mes palëve.

Deklarata e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.

Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.

Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.

Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.

Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.

Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Ora 13:05
Protestat, Kryepiskopi Joan: Shqipëria është e të gjithëve, të merren vendimet e duhura

1792320227_kisha.jpg

Shqipëria është e të gjithëve dhe në këtë situatë është e domosdoshme të merren vendimet e duhura. Ka qenë ky mesazhi i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare, në lidhje me protestat e dhunshme në Tiranë. Në meshën e mbajtur sot, nga Katedralja Ngjallja në Tiranë, Kryepeshkopi tha s vendimet duhet të jenë të urta dhe të pjekura.

“Lutemi që Perëndia t'i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe  të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t'i dëgjojë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Kryepiskopi.