Kryeministri Edi Rama deklaroi se është i gatshëm për dialog në çdo kohë dhe me këdo, përveç forcave politike që qëndrojnë pas dhunës dhe nuk distancohen prej saj.
"Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë Policinë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic.
Kushdo tjetër është i mirëseardhur, ose te kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje.
Por zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të njomit me të thatin, gjoja në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka dhe nuk ka.
Jo se s'dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal. Nuk ka lidhje fare. Unë nuk e kam pushtet personal. Për mua zyra e Kryeministrit nuk është vend pune.
Jam ngarkuar nga 800 e kusur mijë shqiptarë, në bazë të një kontrate që mbaron në 2029, për të bërë një punë. Unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje.
Dhe ne, ndërkohë, A-ja dhe Z-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen të gjitha të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në Bruksel, në oborrin e shtëpisë europiane.
Aty ku do të shpëtojë Shqipëria njëherë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912-a dhe që e kap për fyti sa herë Shqipëria tenton të ngrihet, sa herë ngre kokën, sa herë Shqipëria del pak mbi sipërfaqe, ndërkohë që sot kemi dalë shumë mbi sipërfaqe.
Në atë bulevard, në atë shesh ku dje Policia u dhunua nën duartrokitjet e ekraneve të korruptuara, u mblodh gjithë Europa dhe do të mblidhet NATO vitin tjetër.
Kush e do këtë përveç nesh dhe përveç miqve tanë? Kush e do këtë? Kush e do Shqipërinë që të mbledhë këtu gjithë NATO-n dhe të bëhet qendra e botës edhe një ditë tjetër?
E duan armiqtë e këtij vendi? E duan armiqtë e Europës? E duan armiqtë e demokracisë? Në asnjë mënyrë, jo!
Por Shqipëria dhe shqiptarët, meqë i kanë pasur gjithmonë vegla qorre të gatshme për t'i shërbyer qorrazi çdo lloj force dhe çdo lloj interesi antikombëtar, edhe pa e ditur fare se çfarë bëjnë.
Qysh nga 1912-a, gjithmonë janë gjendur këtu brenda nesh ata të cilët u kanë shërbyer të tjerëve pa kuptuar fare se çfarë bëjnë.
Nuk ka nevojë të jesh agjent sot, i paguar, që merr para që të thonë: "Dil atje, bëj". Nuk ka nevojë fare, hiç, se ka zell të madh, ka urrejtje, ka mllef, ka revansh, ka zili.
Të gjitha këto mjaftojnë që ti të vihesh në shërbim qorrazi edhe të armikut tënd, vetëm e vetëm që ta shohësh vëllain tënd përtokë.
Shtëpinë mund ta rrënosh, vetëm e vetëm sepse Shqipëria është e mirë vetëm kur është e jotja", tha Rama.
Lajmi kryesor:
PD strehë për protestues me maska, Rama: Përdorin të miturit ‘mish për top’, ëndërrojnë t’u merret jeta dhe të kthejnë 21 Janarin! Me gurët dhe dhunën s’ka negocim, ndryshe ka rënë shteti









