Qeveria do të paraqesë së shpejti paketa masash lidhur me kërkesat për meritokraci, por edhe për sigurinë. Kryeministri Edi Rama thotë se i ka dëgjuar për 4 muaj pretendimet e protestuesve dhe dialogu është e vetmja rrugë. Ai tha se e di që e dëshirojnë, por kanë frikë nga etiketimet mes njëri-tjetrit.

“Çdo protestë për t'u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet, kur institucionet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa kur institucionet, qeveria, autoritetet thonë që ne jemi këtu, jemi gati t'ju dëgjojmë, jemi gati të dialogojmë, jemi gati të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj. Ndërsa liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm.  Dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të dyja drejtimet, për të adresuar ato që ne i shohim si momente të rëndësishme psikologjike dhe nevoja imediate të njerëzive për të pasur një dorë mbështetje në kushtet e shtrenjtimit të jetesës, po e përgjithësoj në këtë fjali, dhe nga ana tjetër sigurisht garantimin e sigurisë, të rendit, të qetësisë duke marrë masa kundër dhunuesve, duke marrë masa kundër anarkisë, duke marrë masa kundër idesë se unë jam i lirë të protestoj dhe në emër të kësaj lirie mund t'ia marr të gjithë të tjerëve lirinë për të qarkulluar, lirinë për të punuar, lirinë për të jetuar, lirinë për të çuar fëmijët në shkollë, e kështu me radhë. Në anën e asaj pjese, padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, kërkon më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t'u strehuar, pa ju marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe le të themi barazi sociale, - ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim.

Ndërsa, në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të gjitha lirive dhe të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete. Dua t'ju them të gjithëve që kush thotë se deri më sot, paskam qenë dhe paskemi qenë indiferentë ndaj atyre që erdhën për katër muaj poshtë dritares së zyrës time, harron që në fakt për katër muaj, unë kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër dhe po aq sa ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin çdo gjë që ata kanë thënë. Sepse unë kam qenë duke punuar lart në zyrë, ata kanë qenë duke sharë, duke ofenduar, duke kërcënuar poshtë zyrës, pa thënë asnjëherë asgjë konkrete dhe pa kërkuar asnjëherë asnjë gjë konkrete, madje duke refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë dhe unë e kam thënë, nuk kam ndërmend të tregoj komunikime me mesazhe me një sërë prej tyre që ishin aty poshtë. Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do cilësoheshin si tradhtarë, frika se do pastaj, pësonin pasojat e dhunës së të tjerëve, të cilët janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga “profesori” i mirënjohur, “predikuesi” i mirënjohur i dhunës që e njohin të gjithë dhe nuk dua as ta përmend me emër dhe që kanë një aftësi dhe një kapacitet vërtetë të spikatur për të futur të tjerët në terror psikologjik dhe për të detyruar të tjerët që t'i shkojnë nga mbrapa. Pastaj ka pasur dhe një komponent tjetër, komponent kriminelësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, njerëz të hurit dhe të litarit që kanë bërë të tyren në atë protestë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Protestat e dhunshme, Rama: Pas tyre duart e huaja e krimi i organizuar, duhet dialog për të zgjidhur problemet! Demo: Autorët e maskuar të dhunës po identifikohen nga teknologjia (VIDEO)