Duke shprehur publikisht mbështetjen për aksionet e fundit të SPAK kundër krimit të organizuar që ka shtrirë tentakulat e pastrimit të parave në ndërtim, blerje dhe përvetësim tokash etj, nuk mund të mos reagoj sërish për protestat e përnatshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Shumica e pjesëmarrësve aty janë idealistë, të pakënaqur nga administrata dhe misionarë për çështje të pastra publike. Sigurisht që benzina politike vjen kryesisht nga e djathta e mënjanuar nga Sali Berisha, nga arrivistë të çdo lloji që shohin shanse për t'u promovuar në të ardhmen në Kuvend. Nuk mungojnë as krerët e partiçkave të rrjeteve sociale që na bëjnë si gazetarë politikë me celularë në dorë.
Parrulla e Ballit Kombëtar "Shqipëri e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve" e vërteton përpjekjen që protesta të përdoret për revansh të së djathtës ndaj së majtës.
Por protesta e idealistëve duhet të shfrytëzohet si energji popullore për të zhvilluar një demokraci të garantuar institucionale, forcim të luftës ndaj korruspionit nëpërmjet fuqizimit të SPAK dhe vendosjes së standarteve për barazi dhe solidaritet social bashkëkohor.
PS-së nuk i duhet nënshtrim, por reflektim serioz që përfshin reformë kushtetuese e ligjore në këto piketa:
- Anulim i ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit 2008 të propozuara nga Sali Berisha që e kthyen Republikën nga parlamentare në kryeministrore. Kjo do të krijonte frymëmarrje dhe oksigjen për kontroll të parlamentit mbi ekzekutivin.
- Forcim ligjor i funksionalitetit dhe efikasitetit të SPAK të shoqëruar me një ligj special që heq imunitetin e zyrtarëve të lartë të paktën për 10 vitet e ardhshme.
- Hartimi dhe aprovimi i një sistemi zgjedhor që garanton pluralizëm dhe barazi përfaqësuese në raport me votat në nivel kombëtar.
- Rreptësimi i mbikqyrjes dhe penalizimit për përfshirjen e admnistratës shtetërore në proceset zgjedhore.
- Ndërmarrja e një reforme praktike në funksionimin dhe rezultatet e Kadastrës ku një zgjidhje e shumëpritur do të ishte kalimi i kompetencës për lëshimin e vërtetimeve të pronave të certifikuara te noterët.
Ndërkohë qeveria nuk mund ta lërë luftën kundër korrupsionit vetëm në duart e SPAK. Rastet flagrante të shpërdorimit duhet të shoqërohen me masa publike administrative dhe kallëzime penale.
Vetë PS ka nevojë të zëvendësojë skemën e përqendrimit të pushtetit nga duart e të deleguarve drejt të zgjedhurve të strukturave të bazës.
Dhe natyrisht të lirojë nga delegimi çdo individ nën ndjekje penale.
Në fund theksoj që protesta duhet trajtuar me pjekuri, as me armiqësi, por as me naivitet.
Le të shërbejë pjesa e pastër e saj si një investim për më shumë demokraci dhe jo thjesht për ndërrim të të ndenjurave të pushtetit.
Vetëm nga demokracia përfiton shumica dhe populli.
Vetëm kështu protesta do ta nxiste dhe jo frenonte integrimin europian që po troket te porta.
Lufta qoftë edhe sovraniste thjesht për pushtet në rastin e protestës do të ishte vetëm një korrupsion i ri!
Komente











