Protestat e përgjakshme në Kazakistan, trupa ruse ende prezente për të shtypur protestën! Presidenti urdhër forcave të sigurisë: Qëllojini pa paralajmërim

Forcat e sigurisë duket se kanë kontrolluar rrugët e qytetit kryesor të Kazakistanit, Almaty, ndërsa presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha se rendi kushtetues ishte rivendosur kryesisht, një ditë pasi Rusia dërgoi trupa për të shuar një kryengritje mbarëkombëtare.

Dhjetëra njerëz janë vrarë në përleshjet në rrugë dhe protestuesit kanë djegur dhe plaçkitur ndërtesa publike në disa qytete në dhunën më të keqe në 30 vitet e pavarësisë së shtetit të Azisë Qendrore. Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev ka urdhëruar forcat e sigurisë në Kazakistan që të qëllojnë pa paralajmërim protestuesit, në përpjekjen për të shtypur me dhunë protestën.

Demonstratat që filluan si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të gazit janë shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë dhe ish-udhëheqësit Nursultan Nazarbayev, 81 vjeç, sundimtari më jetëgjatë i çdo shteti ish-sovjetik. Ai dha dorëheqjen si president tre vjet më parë, por familja e tij besohet gjerësisht se ka ruajtur pushtetin.

Pasardhësi i zgjedhur nga Nazarbayev, Presidenti Kassym-Jomart Tokayev, thirri parashutistët rusë të enjten si pjesë e një force nga ish-shtetet sovjetike për të ndihmuar në shuarjen e kryengritjes, të cilën ai e ka përshkruar si një revoltë nga militantët e stërvitur nga jashtë.

"Një operacion anti-terrorist është nisur. Forcat e rendit dhe ligjit po punojnë shumë. Rendi kushtetues është rivendosur kryesisht në të gjitha rajonet e vendit," tha Tokayev në një deklaratë.

"Autoritetet lokale janë në kontroll të situatës. Por terroristët janë ende duke përdorur armë dhe duke dëmtuar pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër-terroriste duhet të vazhdojnë deri në eliminimin e plotë të militantëve."

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha se 26 "kriminelë të armatosur" ishin "likuiduar" dhe më shumë se 3,000 u arrestuan, ndërsa 18 pjesëtarë të policisë dhe gardës kombëtare ishin vrarë që nga fillimi i protestave.

Trazira të përhapura janë raportuar në një numër qytetesh të tjera në të gjithë vendin e gjerë me 19 milionë banorë. Interneti është mbyllur që nga e mërkura, duke e bërë të vështirë përcaktimin e shtrirjes së plotë të dhunës.

Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia tha se forcat e saj paqeruajtëse nga ish-shtetet sovjetike do të numëronin rreth 2500 dhe do të qëndronin në Kazakistan për disa ditë ose javë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:34
Protestat e përgjakshme në Kazakistan, presidenti urdhër forcave të sigurisë: Qëllojini protestuesit pa paralajmërim! T'i shkatërrojmë këta terroristë

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev ka urdhëruar forcat e sigurisë në Kazakistan që të qëllojnë pa paralajmërim protestuesit, në përpjekjen për të shtypur me dhunë protestën antiqeveritare në vend. Ai i konsideroi protestuesit 'banditë' që kishin sulmua qytetin e Almaty, epiqendra e protestave të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit. Ai mohoi mundësinë e bisedimeve me protestuesit, duke thënë se do të ishin të pakuptimta.

"Çfarë lloj bisedash mund të zhvillojmë me kriminelët dhe vrasësit? Duhet të merremi me banditë të armatosur dhe të përgatitur mirë, vendas dhe të huaj. Më saktësisht, me terroristë. Pra, ne duhet t'i shkatërrojmë ata, kjo do të bëhet së shpejti," tha ai.

Ora 08:58
Të mbyllur brenda dhe pa internet, shqiptari i Kosovës rrëfen situatën në Kazakistan: Kemi frikë, as deri te dera nuk dalim dot

Me të përfunduar një ditë normale pune, Kastrioti (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë), një kosovar që po qëndron në Kazakistan, iu desh të mbyllej në banesë. I shqetësuar dhe pa shumë informacione, ky i ri në të 20-at po pret të shohë se çfarë do të ndodhë me trazirat e protestave që kanë kapluar këtë vend.

Kastrioti, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimitet, nisi të punonte në shtetin e Azisë Qendrore, më 2021, përmes kompanisë Mabetex Group, në pronësi të Behgjet Pacollit, ish-president i Kosovës.

Një valë e protestave masive ka nisur në Kazakistan prej katër ditësh për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë. Kastrioti, së bashku me punëtorë të tjerë kosovarë, po jeton në kryeqytetin Nur Sulltan.

Ai thotë se gjendja momentale atje është më e qetë në krahasim me qytetet e tjera si Almati, por sipas urdhrit të autoriteteve, janë të mbyllur në banesë.

“Na kanë mbyllur, nuk mund të dalim. As te dera e as në shitore nuk mund të dalim”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, protestë e madhe është paralajmëruar edhe në vendin ku ai momentalisht po qëndron.

“Normalisht që po frikësohemi sepse ne këtu nuk kemi as Ambasadë. Sot (kompania) na i kanë sjellë pasaportat dhe nuk na kanë dhënë ndonjë lajm se çfarë do të bëjmë, vetëm na kanë thënë ‘nesër e keni pushim’”, tregon ai.

Një ndërprerje masive e internetit dhe valëve telefonike në shtet ka shtuar shqetësimin për ta.

“Familjarët janë shqetësuar se dy ditë nuk kemi pasur internet, sepse e ka ndalur Kazakistani, do të thotë nuk kemi pasur si t’i lajmërojmë”, thotë ai. Interneti ndërkohë më 6 janar është rikthyer.

Punëtorët në pushim, nuk dihet për fatin e tyre tutje

Viteve të fundit, shumë kosovarë kanë arritur të sigurojnë punë në Kazakistan kryesisht përmes kompanisë Mabetex Group. Konkurse për vende të reja të punës vazhdimisht hapen, kurse ai i fundit ishte në dhjetor 2021. Në korrik të vitit 2020 kjo kompani pati shpallur mbi 230 vende të reja të punës në Kazakstan, kryesisht në ndërtimtari.

Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë, kompania Mabetex dhe përfaqësues të saj nuk u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me numrin e punëtorëve kosovarë atje. Megjithatë, kjo kompani, përmes një njoftimi për media tha se të gjithë punëtorët në Kazakistan janë të sigurt.

“Informojmë të gjithë familjarët dhe të afërmit e punëtorëve të Mabetex Group nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që punojnë në Kazakistan, që të gjithë janë mirë dhe gjenden të sigurt në ambientet e tyre ku jetojnë, si në konvikte, apartamente dhe hotele”, thuhet në komunikatën e kësaj kompanie.

“Presidenti i Grupit Mabetex, Afrim Pacolli është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kompanisë atje dhe konfirmon që situata tashmë është më e qetë dhe nuk ka vend për panik dhe shqetësim”, shtohet në komunikatë.

Kastrioti, punëtori që merret me sisteme hidraulike, tregon se vetëm në një zonë të qytetit ku ai punon, me të punojnë edhe 300 kosovarë të tjerë. Ai thotë se përveç njoftimit për pushim, nuk kanë asnjë informacion tjetër lidhur me atë se çfarë do të ndodhë tutje me ta.

“Aeroportet janë mbyllur, ne po presim të qetësohet situata. Kompania në fakt nuk ka lajmëruar asgjë”, thotë ai.

Deri më tani, as Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar informacione lidhur me atë se sa kosovarë gjenden në Kazakistan aktualisht dhe si është gjendja e tyre.

Mabetex Project Engineering është një kompani globale e specializuar në ndërtim me filiale në 18 vende. Kompania ka selinë në Lugano të Zvicrës dhe ka të punësuar rreth 14 mijë punëtorë.

Vetëm në Kazakistan, sipas të dhënave publike, kompania ka bërë ndërtimin e Rezidencës së Presidentit në Nur Sulltan, ndërtesa të ministrive dhe salla të koncerteve atje.

Ndërtime të tjera përfshijnë: Teatrin Nacional të Dramës Neo-Klasike, Teatrin e Operës dhe Baletit, Aeroportin në Nur Sulltan, ndërtesën e Ministrisë së Sportit dhe Turizmit në Kazakistan, e të tjera. Kastrioti, ndërkohë, tregon se është i shqetësuar për kolegët e shokët e tij që gjenden në qytete si Almati me më shumë trazira. Ai sidomos bashkëndjen me familjet në Kosovë që përcjellin me shqetësim lajmet nga Kazakistani.

“Duhet që kompania jonë kur të kemi kësi lloj problemesh, t’i lajmërojë familjet tona ose të bëjë ndonjë postim. Më e pakta që mund të bëjë”, tha ai.

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë që vendi ka parë që nga fitimi i pavarësisë tri dekada më parë.

Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.

Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev fillimisht kërkoi të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë herët të mërkurën (5 janar).

Por, në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Pastaj ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, për ndihmë në shtypjen e kryengritjes dhe CSTO ra dakord të dërgonte një numër të pacaktuar paqeruajtësish.

Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.

Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani më i madhi dhe më i pasuri. Ai shtrihet në një territor me madhësinë e Evropës Perëndimore dhe ndodhet në majë të rezervave kolosale të naftës, gazit natyror, uraniumit dhe metaleve të çmuara.

Por, ndërsa pasuritë natyrore të Kazakistanit e kanë ndihmuar atë të kultivojë një klasë të mesme solide, si dhe një grup të konsiderueshëm manjatësh tepër të pasur, vështirësitë financiare janë të përhapura. Paga mesatare mujore kombëtare është pak më pak se 600 dollarë.

Tubimi që shkaktoi krizën e fundit u zhvillua në qytetin perëndimor të naftës, Zhanaozen. Ka kohë që pakënaqësitë janë acaruar në zonë për shkak të ndjenjës se pasuritë energjetike të rajonit nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë në mesin e popullsisë vendase. Në vitin 2011, policia qëlloi për vdekje të paktën 15 persona në qytet, të cilët po protestonin në mbështetje të punonjësve të naftës të pushuar nga puna pas një greve.

Kur çmimet për gazin e lëngshëm të naftës që shumica e njerëzve në zonë përdorin për të furnizuar makinat e tyre u dyfishuan gjatë natës të shtunën, durimi u këput. Banorët në qytetet e afërta u bashkuan shpejt dhe brenda disa ditësh protesta të mëdha u përhapën në pjesën tjetër të vendit./ REL

Ora 07:48
Çfarë fshihet pas protestave që po tronditin Kazakistanin?

Ndërsa bashkia në Almaty, qyteti më i madh i Kazakistanit, u gjend e përfshirë nga flakët dhe protestuesit rrëzuan statujën e presidentit të parë të vendit Nursultan Nazarbayev, imazhi i vendit post-sovjetik si një fener stabiliteti në rajonin e paqëndrueshëm u shpërbë. Protestat janë të rralla në Kazakistan dhe Viti i Ri është një kohë edhe më e pamundur për demonstrata pasi njerëzit përfitojnë nga festat publike për t’i kaluar me familjet e tyre dhe temperaturat gjatë natës mund të bien nën zero.

Megjithatë, këtë vit, 2 janari shënoi fillimin e protestave më të mëdha në Kazakistan që nga pavarësia e vendit në vitin 1991, shkruan Al Jazeera.

Atë ditë, një protestë u zhvillua në qytetin perëndimor të Zhanaozen kundër dyfishimit të çmimit të gazit LPG, të cilin shumica e kazakëve e përdorin si karburant makinash.

Rritja e çmimit erdhi pasi vendi i dha fund një tranzicioni gradual në tregtimin elektronik të LPG-së për të ndalur subvencionet shtetërore për karburantin dhe për të lënë tregun të diktojë çmimet.

Dhe gjatë ditëve në vijim, demonstratat janë shtrirë në qytete dhe fshatra të tjera kazake – duke shkaktuar protestën më të përhapur gjeografikisht në historinë e vendit.

Edhe pse qeveria njoftoi të martën se çmimet e karburantit do të ulen në një nivel edhe më të ulët se përpara rritjes, dhe të mërkurën presidenti Kassym-Jomart Tokayev shkarkoi kabinetin e tij, protestat vazhduan.

“Tokayev dhe qeveria mund të diskutojnë situatën sociale dhe ekonomike në vend dhe ata mund të vendosin të rrisin pagat dhe pagesat sociale me shpresën se kjo do të lehtësojë tensionet. Por në fund, të gjithë e kuptojnë se reformat nuk do të jenë reale”, tha Daniyar Khassenov, një aktivist politik kazak me qendër në Kiev.

“Të moshuarit duhet të largohen”

Thirrja “Shal ket!” (“Të moshuarit duhet të largohen”) ka qenë e pranishme nga protestuesit anembanë Kazakistanit. Dhe nuk është sekret se kë kanë në mendje kazakët. Nazarbayev zyrtarisht dha dorëheqjen si president në vitin 2019 dhe u zëvendësua nga aleati i tij Tokayev.

Nazarbayev më pas mori detyrën si kreu i Këshillit të Sigurimit dhe u bë e qartë se sundimtari i vjetër nuk ishte i etur të hiqte dorë nga pushteti i tij.

“Të gjithë në vend e kuptojnë se Tokayev është vetëm një i nominuar dhe se ai nuk ka ndonjë fuqi dhe ndikim politik brenda vendit. Thirrjet i referohen të gjithë sistemit që ndërtoi Nazarbayev – regjimit të tij”, tha Bota Jardemalie, një avokate kazake, avokate e të drejtave të njeriut dhe aktiviste politike, e cila mori azil politik në Belgjikë në vitin 2013.

“Do të thotë anëtarët e familjes së tij, vajzat e tij, dhëndri i tij Timur Kulibayev që ka monopolin në çdo sektor të ekonomisë, veçanërisht naftën dhe gazin, dhe të gjithë e kuptojnë se është monopoli që qëndron pas rritjeve në çmimet e [gazit]”.

Që nga pavarësia e tij, Kazakistani ka qenë një nga historitë e pakta të suksesit të transformimit post-sovjetik.

I pasur me burime natyrore, duke përfshirë naftën, gazin, bakrin, qymyrin dhe uraniumin, dhe me një nga dendësitë më të ulëta të popullsisë në botë, ai ishte në gjendje të lulëzonte pa “ish-patronin e tij, Bashkimin Sovjetik”.

Ndërkohë, vë në pah Al Jazeera, qeveria ka kufizuar liritë individuale dhe të drejtat civile.

Gazetarët dhe kundërshtarët politikë janë heshtur ose burgosur, ndërsa qeveria zhvilloi fushata shpifëse kundër kritikëve të saj, duke iu drejtuar ndalimeve arbitrare dhe përdorimit të Interpolit për të ndjekur ata që u larguan nga vendi.

Ndërsa Kazakistani pa protesta në të kaluarën, më së shumti në 2016 dhe 2019, këtë herë analistët thonë se demonstruesit në dukje pa liderë duken të vendosur për të rrëzuar atë që ata e shohin si regjimi i Nazarbayev.

“Çmimet e karburantit ishin një katalizator që shkaktoi protesta masive për ankesat e gjata në një vend të rrënuar nga korrupsioni, mungesa e zgjedhjes politike dhe liritë civile dhe ku njerëzit e zakonshëm shpesh luftojnë për të përballuar jetesën ndërsa elita bën jetë luksoze”, tha Marius Fossum, një përfaqësues rajonal i Komitetit Norvegjez të Helsinkit me seli në Almaty.

“Ne mund të ndryshojmë sistemin”

Ndërsa presidenti Tokayev njoftoi se Nazarbayev do të largohet si kreu i Këshillit të Sigurimit, pak njerëz besojnë se kjo do të kënaqë protestuesit. Retorika zyrtare gjithashtu mbetet konfrontuese.

Një gjendje e jashtëzakonshme është vendosur në disa vende, përfshirë Almaty, dhe lidhja e internetit është bllokuar në qytetet e Kazakistanit, gjë që e bën të vështirë për botën ndjekjen e zhvillimeve në terren, shkruan tutje Al Jazeera.

Është e qartë megjithatë se policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të shuar protestat ndërsa demonstruesit kanë filluar të pushtojnë ndërtesat publike dhe se të paktën 190 persona janë plagosur në përleshje.

E Tokayev ka fajësuar “komplotistët e motivuar financiarisht” për nxitjen e protestave.

“Mos iu nënshtroni provokimeve nga brenda dhe jashtë vendit”, tha Tokayev të mërkurën.

“Nxitja për të sulmuar objektet civile dhe ushtarake është absolutisht e paligjshme. Ky është një krim që do të dënohet. Ne nuk kemi nevojë për konflikt, por më tepër besim dhe dialog reciprok”.

Më vonë të mërkurën, Tokayev tha se kishte kërkuar ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë sigurie e mbështetur nga Moska, për ndihmë në shuarjen e protestave që ai tha se udhëhiqeshin nga “terroristët”.

“Sot u bëra thirrje krerëve të shteteve të CSTO-së për të ndihmuar Kazakistanin në tejkalimin e këtij kërcënimi terrorist”, tha ai në televizionin shtetëror.

Ndërsa fjalët e Tokayevit mund të tingëllojnë ogurzi, protestuesit dhe viktimat e regjimit jashtë vendit ruajnë një optimizëm të kujdesshëm.

“Unë besoj se Kazakistani nuk është një shtet i dështuar, se ne mund të ndryshojmë sistemin dhe se rënia e regjimit është çështje kohe. Regjimi aktual nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë krizën, ai mund të zgjasë vetëm ekzistencën e tij”, thotë Jardemalie.

“Por ata nuk mund ta zgjidhin problemin sepse janë në origjinën e tij. Problemi nuk mund të zgjidhet vetë”.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 08/01/2022 03:14

    Dhe PD ka perbrenda nga nje Nazarbayev e Tokayev.Te shohim nese ruset do te shkulen pas kesaj nga Kazakistani,se me duket se erdhen te ulen kembekryq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë