Protestat kërkojnë zemër, po zemra ku është?

Protestat kërkojnë zemër, po zemra ku është?

Protesta sot ne Tirane

Po protesta është një energji serioze. Protesta është vullkani që shpërthen nga shtypja, nga dëshira për liri e drejtësi. Protesta është si retë e zeza që janë grumbulluar nga ditë e ditë avuj të Tokës, duke u përplasur duke nxjerrë rrufe e shkrepëtima. Protesta është e vërtetë, është si inati i grumbulluar i fëmijëve që përplasin lodrat në dysheme pa marrë leje nga askush. Vogëlushëve iu vjen nga zemra që revoltën nuk ua përmban, po protestuesve në Tiranë?

A janë të vërteta protestat sot tek ne?

E shtuna para pashkëve ortodokse qëlloi plot diell në Tiranë, e ndërsa natyra është në shpërthimin e ringjalljen pranverore më të mirë, dy protesta me energji "të vyshkur" parakaluan para kamerave të televizorëve tanë. Përfaqësues të çorientuar të "shoqërisë civile" mundën të mblidhnin vetëm pak qytetarë për të dalë në mbrojtje të të arrestuarve që dogjën frikshëm kabinat e Rrugës së Kombit në Kalimash, ndërsa artistët e Teatrit Kombëtar u mbështetën akoma më trishtueshëm në shpatullën e opozitës së liderit Lulzim Basha duke "qarë".

Gazetarët, gati të përgjumur, nën diellin e të shtunës, ndiqnin dembelshëm atë që protestuesit kishin për të thënë.

A ka sot në Shqipëri përfaqësues të shoqërisë civile të denjë për të përfaqësuar shqetësimin real të shoqërisë? Jo! Organizimet vijnë nga protagonistë narcizë që lëvizin televizioneve e rrjeteve sociale me një ego personale më të lartë se edhe kulla më e lartë që Edi Rama do të kishte menduar të ngrinte ndonjëherë në Tiranë. Janë individë, që përmes presioneve, kauzave që janë nga më të ndryshmet: të dalë çfarë të dalë, kërkojnë të vënë në surrat të publikut atë që ata në të vërtetë mendojnë se janë: Liderë me ego, por bosh. Dhe kur kauzat, nëse nuk ndjehen me zemër, nuk emocionojnë dhe "liderët" e të sotmes shoqëri civile, ndonjë prej të cilëve shtiret ambjetalist me peliçe në qafë, shtiret i shqetësuar për të varfërit kur rrugëve të Tiranës e sheh rëndom të lëvizë me supermakina që edhe pasanikë në Gjermani a Zvicër do ja kishin zili, protestat dështojnë.

Protestat sot në Shqipëri, nuk arrijnë dot të përfshijnë me zemër qytetarë.

Artistët qajnë në shpatullën e opozitës së sotme, pak më parë 8 vite në pushtet? Po a keni ndjekur një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit kur këta politikanë ishin në pushtet? Artistët merreshin me forcë të interpretonin në darka private dhe një balet i përmasave botërore kërcehej nga balerinët sikur në sallë ishin ngjitur për të ngrënë fara luledielli, mes celularëve e gjendjes skandaloze të sallave që ristrukturoheshin e ristrukturoheshin vetëm për të pasuruar shtëpitë e drejtorëve të institucioneve. Dhe artistët sot, kërkojnë të marrin zemrat e shqiptarëve duke qarë me politikanë që me vepra kanë treguar se sa keq dhe sa pak bënë për artin kur ata patën mundësi të bënin?

Shqipëria ka nevojë për protesta të vërteta, të drejtuar nga zemra të pastra e pozitive. Derisa, përmes ekraneve apo në rrugë, të gjithë do të shohim shfaqje të sforcuara, më mirë bëni pushim. Shijoni këtë Pashkë dhe gjeni zemrën e humbur kushedi se kur e kushedi se ku, protestues falsë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal