Policia e Tiranës ndaloi një 48 vjeçar pasi akuzohet se u përfshi në aktet e dhunës gjatë dy protestave të fundit përpara godinës së bashkisë.
I ndaluari për akuzat "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", dhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr" është shtetasi S. B., 48 vjeç, banues në Krujë, thuhet në njoftim e policisë së Tiranës.
Protesta e fundit para bashkisë së Tiranës është ajo e 7 majit, kur drejt godinës u hodhën dhe bomba Molotov.
Për të mbajtur protestën lejen në polici e merr Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ndërsa në krye të kësaj proteste janë drejtues të grupit të PD-së së Rithemelimit të Sali Berishës dhe të Partisë së Lirisë të cilët kërkojnë dhe dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në protestë nuk mungoi as Argita Berisha, vajza e ish-kryeministrit Berisha në arrest shtëpie për korrupsion për aferën ‘Partizani’, ku me një bluzë të stampuar ‘lironi liderin e opozitës’ ajo ishte ndër të parët që u shfaq në tubim, Si për të konfirmuar edhe një qëllimin e vërtetë të protestës, prej javësh vijon me thirrjet për lirimin e Sali Berishës.