Irani është përfshirë nga protesta kundër regjimit të ajatollahëve, ku kanë humbur jetën rreth 544 persona. Lidhur me këtë Mentor Beqa ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në emisionin ‘Bota Report’ në Report Tv tha se numri i personeve të vrarë mund të jetë shumë më i madh.

Beqa tha se disa presin ndërhyrje të SHBA-së për rrëzimin e regjimit, të tjerë besojnë se Uashingtoni po rrit presionin për një marrëveshje, veçanërisht lidhur me programin bërthamor.

 ‘Informacionet që dalin nga Irani janë shumë selektive sepse ka një bllokim të internetit aty. Numri i të vrarëve nga ato pak video që kanë dalë duhet që të jetë shumë më i madh dhe flitet edhe për të vrarë nga forcat e sigurisë së regjimit. Kemi edhe një numër të madh protestuesish të cilët janë arrestuar. Është një përplasje e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë së regjimit.

‘Irani nuk është një kafshatë e lehtë dhe zgjidhja nuk mund të gjendet vetëm në duart e Trump. Qëndrimi i Trup është shumë ambivalent nëpërmjet ndërhyrjes për të mbështetur protestuesit dhe negociatave me regjimin dhe se dimë në çfarë drejtimi do të shkojë Trump.

Gjithkush pret që të bjerë regjimi, disa mendojnë se SHBA do të ndërhyjë në Iran për të rrëzuar regjimin dhe ka nga ata që thonë se SHBA po rrit presionin për të marr një marrëveshje. Nëse Irani do të dorëzonte kapacitetin bërthamor Trump do të ishte i kënaqur me një marrëveshje të tillë dhe do ta shiste si një sukses’, tha ai.

Beqa thekson se protestat në Iran nuk lidhen vetëm me kërkesa për liri politike, por edhe me krizën e thellë ekonomike, inflacionin e lartë dhe zhvlerësimin e monedhës, që kanë rënduar ndjeshëm jetesën e qytetarëve.

‘Irani është në një krizë të madhe ekonomike, në një inflacion dhe zhvlerësim të monedhës. Irani është në kushte të tilla dhe njerëzit nuk kanë dalë që të protestojë vetëm për liri politike, por sepse janë në kushte shumë të vështira ekonomike’, tha ai.