Më pas masa e madhe njerëzore, gjithnjë duke marshuar nëpër rrugën kryesore, lëvizi drejt Kuvendit Krahinor. Turma ziente prej entuziazmit dhe këngëve që përmendnin qiell me bubullimë, flamurin kuq e zi që valëvitej nëpër murlan, Skënderbeun, i cili shfaqej pranë tyre me shpatë në dorë. Kur demonstruesit mbërritën para godinës së Kuvendit panë se këtë herë nuk ishte ajo trupë policore që pak çaste më parë e kishin çarë me forcën e krahëve. Duke e mbajtur ndërtesën të rrethuar, këta qenë me helmeta dhe automatikë. Pranë kordonëve policore kishte edhe makina zjarrfikëse. Manifestuesit gjithsesi nuk e humbën toruan, në mos u egërsuan më shumë. Kërkuan me këmbëngulje se donin t’u dilte para dhe t’u fliste vetë kryetari i parlamentit vendor, Fadil Hoxha. Në rast të refuzimit të tij ata do të hynin forcërisht në Kuvend. Nga grupe të veçanta këto çaste u thërrit “Poshtë tradhëtarët!”, nga të tjerë “Rroftë klasa punëtore!”, “Rroftë fshatarësia!”, “Rroftë rinia!”
Trupa policore i sulmoi për t’i shpërndarë. Përdori vetëm shkopinj gome si edhe ujë të shkumëzuar të marrë prej zjarrfikëseve. Për minuta të tëra përleshja nuk e ndau dot fatin e asnjërës palë, deri në momentin kur u duk se demonstruesit atë ditë patën dalë për të triumfuar. Grupe të tyre rezistuan këmbëngulshëm dhe luftuan me gurë të shkulur nga kalldrëmi. Një rrahjeje masive të studentëve prej policisë tek ëmbëltorja “Pçella” (“Bleta”), e cila gjendej përballë Kuvendit, protestuesit iu gjegjën me marrjen nën kontrollin e tyre të automjeteve zjarrfikëse dhe vrundujt e ujit të tyre ua hodhën policëve rrahës.
Kështu edhe përballja e dytë përfundoi me tërheqjen e trupave policore. Këta, në ikje, arrestuan disa demonstrues. Të lënduarit prej të dy palëve qenë të shumtë. Kjo fitore e re u dha protestuesve më shumë ekzaltim dhe, sipas studiuesit Sheradin Berisha, ata e vazhduan marshimin nëpër rrugën kryesore mes buçima këngësh e brohoritjesh. Mbërritën tek pika prej ku qenë nisur: Fakulteti Filozofik. Këtu u mbajt një miting i dytë. Folësit qenë më të ashpër se herën e parë. Një i dërguar prej autoriteteve foli me shpresë t’i qetësonte, por turma ziente nga zemërimi dhe nuk rrinte dot në një vend.
Studentët u nisën drejt burgut të Prishtinës. Kur qenë afër tij, saktësisht midis Shtëpisë së Armatës dhe hotelit “Avalla”, forcat policore i sulmuan për herë të tretë. Kësaj radhe bashkë me to qenë edhe reparte të ushtrisë. Përveç shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës, kundër protestuesve u përdorën edhe armët e zjarrit. Nga breshëritë e ardhura prej ballkoneve të ndërtesave shtetërore, u vra një nxënës i shkollës së mesme teknike në Prishtinë. U plagosën shumë të tjerë. Pas kësaj protestuesit u shpërndanë nëpër një kaos të plotë dhe shumica fillimisht rendën drejt Kuvendit Krahinor.
Qe rrugëdalja e vetme. Më pas e rimorën veten dhe u rigrumbulluan tek Shkolla Teknike.
Prej andej, tashmë sërish duke marshuar vendosmërisht, rreth orës 22.00, u rikthyen në plasdarmin e tyre: në oborrin e Fakultetit Filozofik. Rrugës patën përmbysur disa automjete dhe thyer me gurë disa vitrina. Këtë herë parulla më e thirrur qe “Ja vdekje-ja liri!” Në sheshin e Fakultetit Filozofik nderimi me një minutë heshtje i nxënësit 17 vjeçar u pasua prej shumë folësve. Me këngë, parulla dhe brohoritje masa e studentëve dhe e nxënësve qëndroi në sheshin e Fakultetit Filozofik deri në orën 3 të mëngjesit të datës 28 nëntor 1968.
Po zbardhte Dita e Flamurit, ajo ngjarje që ishte parashikuar prej organizatorëve t’i jepte manifestimeve edhe më shumë frymë entuziazmi për pavarësim dhe bashkim me Shqipërinë. Por vijimi i tyre tashmë nuk qe i mundur.
Ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Prishtina ishte vënë në shtetrrethim të plotë.
Shtatë ditë më pas
Në ditarin e vet komentin për demonstratën e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë Enver Hoxha e bëri në 5 dhjetor. Pra një javë më pas. Ai nuk e citon burimin prej ku i ka ardhur informacioni, por ka të ngjarë të jenë kanale të varura prej tij dhe shtetit shqiptar.
Shkruan: “Titistët thonë se u hodhën edhe parrulla si: "Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë", "Rroftë Republika Popullore e Shqipërisë", "Rroftë Enver Hoxha" etj. Ka mundësi që kjo të ketë ngjarë, kur u ndezën gjakrat, por nuk përjashtohet që midis turmave të ketë pasur edhe provokatorë titistë, të cilët dëshironin t’u jepnin ngjyra të tjera demonstrative”.
Në të vërtetë parulla të tilla, kaq të shprehura në favor të PPSH-së, nuk kishte. Hoxhës informacioni ka të ngjarë t’i ketë ardhur edhe i deformuar prej servilizmit të nëpunësve punistë, por gjithsesi ai nuk i jepet kësaj lajkatisjeje. Gjykon se, po të ketë ndodhur, është pjesë e manovrës së kompromentimit të tyre prej pushtetit beogradas, mënyrë për ta bërë Shqipërinë dhe shtetin e saj si nxitëse të tyre. Ndërkohë ai nuk e lë mënjanë merakun e vet, por përkundrazi, si ta ketë një shqetësim tepër të madh po të heshtëte, thekson në 5 dhjetor 1968: “Natyrisht ne nuk kemi as gishtin më të vogël në këto demonstrata, ne nuk zhvillojmë asnjë punë agjenturore dhe subversive as në Jugosllavi as në Kosovë”.
Pastaj: “Titistët e dinë këtë, por ua do puna të shpifin e të thonë të kundërtën”.
Ndërkohë duhet vënë në dukje se vetë Josip Broz Tito në një intervistë dhënë këtë kohë u përpoq ta shvlerësonte protestën e fortë të studentëve të Fakultetit Filozofik, duke këshilluar që "nuk duhet të dramatizohen demonstratat e Prishtinës".
Madje edhe Enver Hoxha në ditarin e tij mban shënim se edhe ministri i Mbrendshëm i Federatës Socialiste të Jugosllavisë, Marko Nikeziç, qe treguar dinak duke e shpërndarë përgjegjesinë e asaj që ndodhi jo vetëm tek ultranacionalistët shqiptarë, por edhe tek ata serbë. Sigurisht Tito e kishte shqetësim të vijuar mos Enver Hoxha apo grupe të veçanta politikanësh në udhëheqjen e lartë të Shqipërisë, sidomos të fuqishmit Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, pse jo edhe ndonjë tjetër, për të përfituar Kosovën apo thjesht për ta vënë atë personalisht në vështirësi, bashkëpunonin me Bashkimin Sovjetik.
Shpërthimi i dytë i protestës: Tetovë
Por ndërsa në Kosovë bënë sikur nuk vunë shumë re protestën, demonstrata e Maqedonisë qe vërtetimi se mjaftojnë dy pika për të bërë një vijë. Në mos ishte një lëvizje e mirëfilltë gjithshqiptare për shkëputje sa më të shpejtë nga Jugosllavia, një prej dallgëve të saj ciklike qe pa dyshin. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1968 (në vigjilje të kremtes së Bajramit, thonë kronikat e kohës) në disa minare të xhamive të Tetovës u nderën flamujt kombëtarë shqiptarë. Fillimisht u vendos në Xhaminë e Sahatit, pastaj në Eski Xhami, në vazhdim në Xhaminë e Pashës. Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe punishte zejtare, si dhe në disa fshatra përreth.
Kaluan tre ditë me tension të ngritur, por pa u shkaktuar ndonjë incident etnik ose përplasje mes shqiptarëve dhe shtetit maqedonas. Momenti i ndryshimit të gjendjes të statukuos ngjau në orët e mbrëmjes të 22 dhjetorit, kur fotografi Sreçko Janevski nga Tetova e grisi flamurin shqiptar, të ngritur në punishten e një rrobaqepësi në rrugën ”Ilindenska”, pra mu në qendër të qytetit. Të revoltuar nga kjo në vendin e ngjarjes u grumbulluan rrufeshëm dhjetra tetovarë dhe deri rreth orës 20.00 masa u shtua në disa qindra vetë. Ata e ndoqën maqedonasin Janevski, i cili gjatë ikjes, me revole në dorë, kërcënonte shqiptarët dhe më në fund u fut, për t’u shpëtuar, në hotelin “Makedonija”.
Protestuesit shqiptarë, pasi thyen xhamat e dritareve, depërtuan brenda, por ndërkohë erdhi policia dhe e morën në mbrojtje Sreçkon. Pas kësaj manifestuesit, gjithnjë e më shumë të zemëruar, marshuan rrugëve të qytetit dhe hodhën parulla kundër. Rreth orës 21, siç shkruajnë dëshmitarët, ata u shpërndanë të qetë. Të nesërmen më 23 dhjetor, rreth orës 11.00, demonstruesit u tubuan përpara dyqanit të Sreçko Janevskit dhe më pas lëvizën në drejtim të kuvendit komunal. Një gjimnazist me disa shokë të tij u fut në ambientet e komunës dhe në dritaren e një zyre në katin e tretë shpalosën flamurin kombëtar.
Nuk vonoi të vinte policia dhe bashkë me të edhe përleshja fizike. Pas kësaj protestuesit u kthyen nëpër rrugën nga e cila patën ardhur. Një ndalesë indinjate e tyre para ndërtesës së Sekretariatit për Punë të Brendshme u pasua prej një marshimi në drejtim të tregut të qytetit. Këtë çast me turmën u bashkuan edhe punëtorë shqiptarë të Kombinatit ”Tetex”, si edhe zejtarët dhe popullata e fshatrave të Tetovës. Një nga parullat thoshte “Duam mësim në gjuhën shqipe”. Në orët e vona të pasdites demonstrata, me më shumë pjesëmarrës, u zhvendos në qendër të Tetovës, por u shtua njëkohësisht edhe masa e trupave policore. Një njëzetë vjeçar u ngjit në një shtyllë metalike dhe vendosi flamurin kombëtar. Pas kësaj manifestuesit rifilluan marshimin drejt kinemasë “19 nëntori”, ku policia duke përdorur shkopinjtë e gomës, po ashtu kondakët e revoleve dhe të automatikëve, u përpoqën t´i shpërndajnë. Pati dhjetra shqiptarë të plagosur si dhe u arrestuan mjaft të tjerë. Ndërkaq, shkruajnë kronikat e kohës, “në këto përleshje u shkatërrua një veturë e policisë, një kamion, shumë vetura zyrtare e private, Komiteti Komunal i Lidhjes Komuniste të Tetovës, Komuna dhe zyrat e Sindikatës etj.” Demonstrata nëpër rrugët e qytetit përfundoi në orën 20.00.
Në 24 dhjetor në Tetovë kishte rënë përfundimisht qetësia, por jo jehona e asaj që pati ndodhur. Shfrim protestash ngjanë edhe në Gostivar, në Kërçovë dhe në Kumanovë, duke e bërë gjeografisht të shtrirë në Maqedoni manifestimin.
Demonstratë u ndez një çast edhe në një nyje tjetër të trojeve shqiptare në Federatën Jugosllave: në Preshevë. Lëshoi për disa momente flakë edhe në një vatër tjetër të tyre: në republikën e Malit të Zi. Protesta ndodhi në Ulqin.
Gjithkund trojeve shqiptare mes sllavëve të jugut mjeti më i qartë për të shprehur çfarë dëshironin, qe ngritja dhe valvitja e flamujve të kuq me në mes shqiponjën e zezë dykokëshe. Kjo donte të thoshte açik: duam vetvendosje.
Në 1 mars 1969, ndërsa në Maqedoni shovinizmi vocrak vendas, më shumë nën kompleksin e inferioritetit se sa të vetëndjerjes të fortë, kishin shpërthyer hakmarrjen dhe dënonin e burgosnin, Enver Hoxha priti bashkëkombësin nga Kosova Rexhep Duraku, babain e dëshmorit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, Emin Duraku. Mes të tjerash, për ta përcjellë kur të kthehej në viset e tij, Hoxha i dha të ngarkuar mesazhin që shqiptarët përtej kufijve “të shfrytëzojnë drejt të gjitha momentet e volitshme që u krijohen nga gjendja e përgjithshme ose nga një punë e tyre e pjekur dhe e matur politikisht, pa u hedhur në aventura”.
(Vijon)
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)