Pas debateve të zjarrta të një ditë më parë në Tiranë, Komiteti i Stabilizim Asocimit, u transferua këtë të martë në Zvërnec.
Të shoqëruar nga deputetët shqiptarë të të dyja krahëve, europarlamentarët panë nga afër zonën e shumëpërfolur ku parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndrri i presidentit amerikan Donald Trump.
Delegacioni vizitoi fillimisht Manastirin e Zvërnecit. Atë Jan Tereziu, prifti që i shoqërooi preferoi të shmangte komentet për projektin
“Unë të falënderoj për pyetjen, por brenda ambienteve të kishës dhe në mënyrë absolute, brenda dhe jashtë manastirit, të tilla muhabete nuk bëhen. Ky është vend i Zotit”, tha Atë Jan Tereziu
Banorë të zonës së Zvërnecit dhe Pishë-Poros, shfrytëzuan rastin e kësaj vizitë për të shprehur dhe një herë kundërshtitë e tyre ndaj projektit
“Ne na janë grabitur tokat. Na i ka marrë Artur Shehu. Ne jemi nëpër gjyqe. I kemi tokat e trashëguara. Të zgjidhet çështja e pronësisë dhe pastaj të bëhet projekti”, thanë banorët.
Në përfundim të vizitës, bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Taulant Balla, deklaroi se projekti do të bëhet në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Europian.
“Diskutuam – edhe gjatë vizitës në Vlorë dhe Zvërnec – zhvillimin pozitiv të sektorit të turizmit në Shqipëri, si një faktor kyç që nxit zhvillimin ekonomik, duke mbajtur parasysh detyrimin e Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj mjedisor me acquis-në e BE-së, Kapitulli 27, veçanërisht për sa u përket zonave të mbrojtura me vlerë të njohur ekologjike”, tha Balla.
“Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili duhet patjetër të jetë me standardet e BE-së. Ligji i Investimeve Strategjike duhet anuluar”, u shpreh Tabaku.
Eurodeputetët, kërkuan respektimin e standarteve europiane për zhvillimin e zonës.
“Për këtë rast konkret, mendoj se është e kuptueshme që të ketë projekte zhvillimi. Besoj se ato duhet të mbështeten në dy shtylla, siç thashë: qëndrueshmërinë mjedisore dhe qëndrueshmërinë sociale. Kjo e dyta nënkupton dialogun me komunitetet që jetojnë në atë territor. Këto janë dy shtyllat. Unë i kërkoj këto edhe në vendin tim dhe luftoj për to”, tha Marco Tarquinio- Bashkëkryetar i Komitetit të SA.
Në lidhje me projektin në Zvërnec edhe komisioni europian ka bërë thirrje për të respektuar standartet e BE-së ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë garanci për këtë.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kërkuar transparencë për projektet në zonën e Zvërnecit, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Ligjin për Investimet Strategjike.
Gjatë një prononcimi nga Vlora, pas takimeve me banorë dhe eurodeputetë, Tabaku tha se qytetarët kërkojnë të dinë se çfarë projektesh parashikohen në zonë dhe si është marrë vendimmarrja.
Tabaku u ndal edhe te Aeroporti i Vlorës, duke thënë se ndërtimi i tij ka qenë prej kohësh objekt i denoncimeve të saj për ndikimin në zonën e mbrojtur.
Deputetja demokrate tha se ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura duhet të jenë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa për Ligjin e Investimeve Strategjike kërkoi anulimin e tij.
“Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili duhet patjetër të jetë me standardet e BE-së. Ligji i Investimeve Strategjike duhet anuluar”, tha mes të tjerash Tabaku.
Prononcimi i plotë:
Së pari njëherë, ju falënderoj për durimin edhe për faktin që nga mëngjesi e deri tani pritët që ne të përfundonim vizitën.
Vizita, me thënë të drejtën, është organizuar jo nga ne, por organizatorët kishin menduar një lëvizje ndryshe. Unë do kisha preferuar që ne të shkonim atje në zemër të Zvërnecit dhe të shikonim, së pari, Aeroportin e Vlorës, sepse pikënisja e shkatërrimit të një zone të mbrojtur është nga Aeroporti i Vlorës, dhe së dyti, të kishin takuar banorët.
Por ato e kanë një pamje të qartë dhe të dy kërkesat e djeshme që u bënë me zë, në fakt, në tryezën e diskutimeve, vazhdojnë mbeten edhe sot. Dhe janë edhe ajo thirrja e banorëve, në fakt, që mua më mbeti kur i takova: “Anuloni ligjin!”
Këtu bëhet fjalë për dy ligje: për Ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe për Ligjin e Investimeve Strategjike. Të dy ligje të cilat janë abuzive.
Me aq sa unë bisedova me qytetarët dhe me banorët atje, po njëkohësisht edhe në vizitën e parë që patëm në manastir, kishte vetëm një kërkesë: transparencë dhe konsultim.
Askush nuk e di çfarë po ndodh, askush nuk e di çfarë do të bëhet. Dhe unë besoj se është kërkesa legjitime e vlonjatëve, e banorëve, e pronarëve, që ky proces duhet të jetë transparent dhe i hapur.
Nga drama e procesit të integrimit, të paktën edhe ajo që kemi diskutuar me eurodeputetët, janë kërkesat për të dy ligjet.
Dhe fakti që në Republikën e Shqipërisë Ligji i Prokurimeve Publike, Ligji i Koncesioneve, nuk janë ligje në letër. Në qoftë se Shqipëria do të jetë vend anëtar i BE-së, atëherë këto i ka detyrime për t’i zbatuar.
Ato nuk janë një listë dëshirash që do një vend i Bashkimit Evropian apo një vend tjetër; ato janë detyrime dhe standarde që duhet që qeveria shqiptare t’i zbatojë.
Pyetje: Do të ketë një deklaratë të përbashkët pak më vonë?
Jorida Tabaku: Nuk ka një deklaratë të përbashkët sepse nuk pati një rezolutë të përbashkët, po do të bëjnë një komunikim dy bashkëkryetarët: zoti Tardino dhe zoti Balla.
Pyetje: Nga eksperienca që patët deri tani, të paktën me eurodeputetët, qëndrimi i tyre si ju duket?
Jorida Tabaku: Shiko, nuk flas dot në emër të tyre. Unë them ato që ne kemi diskutuar gjatë gjithë këtyre kohëve. Dhe ato me të vërtetë besojnë që këto dy ligje që janë duke u diskutuar, së pari, dhe së dyti, i gjithë procesi dhe mënyra se si është shkruar nuk është evropiane.
Fakti që Ligji i Zonave të Mbrojtura sot është një nga ligjet më të debatuara, dhe ligji erdhi i ndryshuar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë, pa konsultime, edhe me kundërshtitë e shumta nga organizatat mjedisore, ka një pikëpyetje shumë të madhe.
Kjo është shoqëruar me Ligjin e Investimeve Strategjike, sepse nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar; bëhet fjalë për disa ligje në mënyrë të njëpasnjëshme të ndryshuara.
Unë di të them që sot Vlora, jo për të gjitha arsyet e duhura, në fakt, Vlora këtu e Tirana… Vlora atje e Tirana, dhe Vlora këtu si qytet kanë qenë në qendër të vëmendjes.
E rëndësishme është që ka një ndërgjegjësim në nivel evropian dhe ka një ndërgjegjësim edhe të strukturave të Komisionit për ta trajtuar këtë çështje ashtu siç duhet: transparencë dhe konsultim.
Pyetje: A patët dizinformim nga deputetët e mazhorancës për këtë çështje? Ju keni qenë prezent tërë kohën…
Jorida Tabaku: Shiko, dizinformimi… që t’ia kërkosh mazhorancës mosdizinformimin është, si të thuash, mos merr frymë e mos jeto.
Tani, dy gjëra duhet të kemi parasysh: eurodeputetët nuk vijnë këtu të painformuar, eurodeputetët vijnë këtu me një informacion të plotë. Ju patët dëgjuar që dje kishin një informacion të plotë për të gjithë situatën që ndodh sot ky projekt.
Unë do kisha dashur që ne të ishim ulur atje në Zvërnec, të kishim parë punimet; do kisha dashur që të kishim parë Aeroportin e Vlorës, sepse këtu tre vjet më parë me Aeroportin e Vlorës nisi prishja dhe dëmtimi i zonës së mbrojtur.
Pyetje: Pse ju nuk keni folur për Aeroportin e Vlorës deri më sot?
Jorida Tabaku: Unë besoj më keni ndjekur që unë kam qenë e para që e kam denoncuar Aeroportin e Vlorës. E kam denoncuar për mënyrën se si është dhënë tenderi, e kam denoncuar për faktin që aeroporti ishte i pari që ishte në zonën e mbrojtur, u bë pa një analizë të ndikimit në mjedis.
Nuk ka asnjë dyshim që ne e duam zhvillimin, edhe unë e dua zhvillimin. Por sot me lejoni që t’ju them që i gjithë diskutimi sot nuk duhet të jetë “je kundër këtij apo kundër atij”, “je pro apo kundër Trump-it”, pyet atë që ka qejf të bëjë propagandë me Trump-in!
Ne po flasim këtu për ligje, ne po flasim këtu për një situatë…
Pyetje: Po si opozitë, si e vlerësoni investimin që po bëhet, paraprakisht, për dhënien e lejes?
Jorida Tabaku: Tani, unë nuk e di çfarë investimi po bëhet në Zvërnec sepse atje pyetëm dhe na thanë nuk ka investim, s’ka projekt. Tani më thoni juve ku është investimi, ku është projekti.
Investimet po bëhen në Zvërnec sepse atje pyetëm dhe na thanë nuk ka investim, s’ka projekt. Tani më thoni juve ku është investimi, ku është projekti?
Unë i takova banorët të cilët i kam dëgjuar, i kam takuar dhe në Tiranë, të them të drejtën, një përfaqësi të tyre. Nuk është hera e parë që vij këtu.
Me disa nga organizatat mjedisore kam qenë disa herë këtu, edhe pranë aeroportit të Vlorës, edhe në zonën e mbrojtur. Për mua ka rëndësi që ky proces të jetë transparent, të jetë i konsultuar edhe t’i përfshijë banorët.
Pyetje: Zonja Tabaku, ku ka pasur reagim nga populli, reagim nga banorët për çështje të cilat kanë ngjallur dyshime apo ka pasur të themi protesta, sikurse është edhe zona e Zvërnecit, por për çdo çështje në përgjithësi, Partia Demokratike ka reaguar dhe ka qenë pranë banorëve ose pro asaj se çfarë banorët kanë kërkuar. Me të vetmin rast që është Muzeu Hebraik…
Jorida Tabaku: Unë e kam ndjekur edhe diskutimin. Ndoshta nuk është aq afër Tiranës, diskutimi ka qenë i tillë që ne nuk jemi kundër një muzeu besimi në vetvete dhe nuk është se nxisim kundër, protesta kundër një muzeu besimi.
Ne jemi kundër zhvillimit të integruar të zonës duke ruajtur sigurisht dhe trashëgiminë, zemrën e Vlorës në këtë rast. Ndërkohë që për këtë është kërkuar që të mos jetë një çështje besimi, çështje ndasije.
Tani, ne kaluam nga muzeu tek zona e mbrojtur, por ju më lejoni që unë ta përfundoj duke thënë: nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme, dhe këtë ua them edhe si qytetare, jo vetëm si politikane.
Nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme sot, edhe për këtë projekt, edhe për banorët, edhe për atë që ne duam që Shqipëria të jetë nesër, sesa çdo gjë të jetë e hapur dhe transparente.
Dhe kjo është një kërkesë legjitime e ambientalistëve, e banorëve, e qytetarëve të Vlorës, po edhe juaja si qytetarë dhe si gazetarë të këtij qyteti.
Kështu që, e përsëris dhe njëherë atë që është thënë dje në tryezë:
Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili duhet patjetër të jetë me standardet e BE-së dhe ndryshimet nuk janë me standardet e BE-së.
Ligji i Investimeve Strategjike duhet anuluar. Dhe ligji i Investimeve Strategjike, anulimi i tij, fillon nesër në komisionin që unë drejtoj.
Eurodeputetët dhe deputetët shqiptarë që vizituan Zvërnecin u ndalën edhe në Manastirin e Shën Mërisë, ku u pritën nga prifti At Jan Tereziu. Gjatë vizitës, ai i njohu me historinë dhe vlerat e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.
Në një moment, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u përpoq të përfshinte At Jan Tereziun në debatet politike për investimet që parashikohen në zonën e Zvërnecit.
Por prifti me mirësjellje zgjodhi të mos hynte në diskutim për projektin, duke i kujtuar Tabakut se në vende të tilla të shenjta nuk bëhet politikë.
"Unë të falënderoj për pyetjen, por brenda ambienteve të kishës dhe në mënyrë absolute, brenda dhe jashtë manastirit, të tilla muhabete nuk bëhen. Ky është vend i Zotit' tha ai
Pas vizitës në manastir, eurodeputetët dhe deputetët shqiptarë u ndalën për të konsumuar një kafe në ambientet e tij.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ndarë pamje nga vizita e zhvilluar këtë të hënë në Zvërnec me një delegacion të Parlamentit Europian, ku, sipas tij, eurodeputetët u njohën nga afër me projektin që parashikohet të zhvillohet në zonë.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan se përfaqësues të qeverisë dhe agjencive përgjegjëse informuan delegacionin se angazhimet mjedisore për zhvillimin e turizmit në këtë zonë synojnë të përmbushin ose të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas Ballës, projekti synon të shërbejë si shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare në Shqipëri mund të realizohen në përputhje me standardet europiane, duke ndërthurur investimin e përgjegjshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase.
Ai shton se projekti po hartohet mbi parimin se vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur, ndërsa një nga objektivat kryesorë është që vlera ekonomike e krijuar nga investimi të mbetet në Shqipëri, përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së furnitorëve dhe bizneseve shqiptare, rritjes së turizmit dhe krijimit të aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.
Balla thekson gjithashtu se qasja e projektit bazuar tek peisazhi po zhvillohet me fokus te sipërfaqet e gjelbra, mbrojtja dhe përmirësimi i karakterit natyror të zonës. Sipas tij, planet e gjelbërimit dhe mbjelljeve do të hartohen në përputhje me procedurat përkatëse të vlerësimit mjedisor dhe të miratimit.
-
po po kur ishit ju ne qeveri e beret HALE shqiperin
Përgjigju






Komente
Komento