Opozita i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas masës së arrestit në shtëpi dhe pezullimit nga detyra të kreut të inteligjencës, Vlora Hysenit.

Ky është reagimi i parë i opozitës për masën e lëshuar mëngjesin e sotëm nga GJKKO, ndërsa SPAK po kontrollonte gjithashtu edhe banesën e ish-drejtuesit të bluve, Ilir Prodës.

Deputetja Jorida Tabaku thotë se duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Më tej shprehet se drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa u penguar.

Më tej, ajo bën përgjegjëse qeverinë Rama si sistem që “ka zgjedhur dhe promovuar” këta drejtues, ndërsa nënvizon sërish se largimi është i domosdoshëm.

Reagimi i plotë:

Shqipëria është gdhirë sot me raportimet për një masë sigurie ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI. Një ditë pas spektaklit propagandistik të ministrit të Brendshëm, shqiptarët përballen me dyshime që prekin majat e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e tyre.

Kjo është pamja e një sistemi të kalbur që po shkatërron Shqipërinë, pasi ka rrënuar themelet e shtetit. Kur hetimet për një grup të strukturuar kriminal mbërrijnë deri te drejtuesit e institucioneve të sigurisë, pyetja bëhet e pashmangshme: kujt i kanë shërbyer këto institucione? Qytetarëve që duhet të mbronin, apo pushtetit dhe interesave që duhet të hetonin?

Çdo ditë bie një copë nga muri i propagandës dhe pas tij shfaqen rrënjët e krimit, korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me qeverisjen. Përgjegjësia politike ka emër: Edi Rama. Ai i ka zgjedhur këta drejtues, i ka promovuar dhe ua ka paraqitur shqiptarëve si fytyrën e shtetit të tij. Sot u detyrohet përgjigje.

Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë.

Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria.

Kjo qeverisje është burimi i sëmundjes. Largimi i saj është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shërimit të një vendi ku shqiptarët varfërohen, ndërsa një pakicë pasurohet nga pushteti, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.

Koha për ndryshim! Koha për ta çrrënjosur këtë sistem! Koha që kjo shumicë të largohet!