Piktori Arben Morina, studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka dhe arkitektja, Lida Miraj shprehen se protestat nuk bëhen vetëm për çështjen e ndërtesës por për një kauzë të madhe, e cila është liria dhe demokracia të cilën ato shprehen se do ta fitojnë. 

Për sa i përket mbledhjes së firmave për  ndërtimin e teatrit të ri sikur ishte, piktori Morina thotë se teatri i vjetër ishte një kryevepër, dhe nuk mund  të kthehet si më parë. 

Gazetarja: Çfarë do të kërkoni akoma me këto protesta?

“Unë mendoj se nuk është vetëm çështja e ndërtesës, por kauza është shumë më e madhe se kaq. Ne po luftojmë për liri për demokraci dhe liria nuk durohet, ne do ta fitojmë”, tha piktori, Arben Morina. 

Gazetarja: Ne po shikojmë se po mblidhen firma për ndërtimin e teatrit të ri sikur ishte. Keni shpresë në këtë drejtim?

“Ai ishte një kryevepër. Unë si artist flas për vëllimet në hapësirë. Për një arkitekturë aq njerëzore. Sa bukur komunikonte njeriu me njeriun. Ajo akustikë që buçiste, që lëshon akoma dritë”, tha ai.

Gazetarja: Nga gjithë kjo situatë janë edhe artistët që janë ndarë në dy pole. Si e shikoni këtë?

“Këtë përçarje po e bën kryekrimineli. Ky që më vjen zor ti them kryeministër apo kolegu im, pasi unë jam në majat më të larta të artit”, shtoi Morina.

“Teatri ishte një simbol. Nuk është problem të gjykojmë kush e shembi dhe pse? Nuk është problem as për tu anuar nga e drejta. Problemi është tek dhunimi i shpirtit tek dhunimi i trashëgimisë shpirtërore. Çdo njeri që ka lidhje me artin duhet të ketë një lloj sensibiliteti. Për sa kohë bëhet fjalë për teatrin, për sheshin, çdo qytetar ka një arsye më tepër për të kërkuar lirinë”, tha studiuesi letrar, Behar Gjoka .

Gazetarja: Çfarë ju mban ende me këtë kauzë? 

“Pyetje e bukur. Nuk e di se çfarë më mban ende me këtë kauzë. Respekti i madh me këto njerëz që kanë bërë protestën më civile në historinë e Shqipërisë në mbrojtje të teatrit, kulturës. Kjo më bën të vij ende”, tha arkitektja, Lida Miraj.