Ish-deputeti Azgan Haklaj dhe avokati Altin Kaziaj kanë diskutuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, lidhur me protestat që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, por edhe për aksionet e ditëve të fundit të SPAK, ku janë goditur disa grupe të fuqishme kriminale.

Avokati Kaziaj është shprehur se protestat e qytetarëve kanë dhënë një shembull të mirë dhe një mesazh të fortë për partnerët ndërkombëtarë.

Lidhur me disa incidente të shënuara gjatë ditëve të fundit mes protestuesve, por edhe bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe Rrugës së Rinasit, Kazizaj tha se organizatorët e protestës duhet të njoftojnë për vendin ku organizohet tubimi.

“Protesta është e drejtë e pakontestueshme. Në këtë rast kemi të bëjmë me një grupim iniciator të rinjsh shqiptarë, që kanë ardhur, kanë marrë përsipër një nismë të caktuar, duke i kërkuar llogari qeverisë shqiptare për Nartën, Sazanin e Zvërnecin dhe po përshkallëzohet edhe me interesa të tjera të karakterit të thellë të ndjershmërisë publike që kanë interes. Fakti është që kush e organizon, duhet të njoftojë se ku organizohet dhe ku bëhet tubimi. Dhe jo të gjithë pjesëmarrësit.

Nuk e di se ç’ka ndodhur me zonjën Koçeku. Por cili është shkaku i deklaratës së Koçekut, kjo duhet hetuar jo vetëm nga SPAK, por edhe nga prokuroria… Protestat kanë dhënë një mesazh të qartë, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit. Protesta ka marrë dhe ka dhënë mesazh ndërkombëtar dhe europian. Po na marrin për shembull të mirë këtë herë”, tha Kaziaj.

Nga ana tjetër, ish-deputeti Haklaj është shprehur se ka patur një përpjekje për të marrë frenat e protestës, por sipas tij, zëmërimi popullor nuk mund të privatizohet.

Sipas Haklajt, protestat po zhvillohen kundër asaj që ai e cilësoi ‘aleanca e kullave’. Ai shtoi se protestat do të shkërmoqin ‘Trekëndëshin e Bermudës’ (që nënkupton Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën).

Haklaj shtoi më tej se kryeministri Rama dhe kryedemokrati Berisha po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të vjedhur pronat dhe pasuritë e Shqipërisë.

“Këta Shqipërinë nuk e kanë bashkë me ne, e kanë me oligarkët. Të gjitha trohet shqiptare këta i kanë dhënë zotëri. Kryeministri e ka nxjerrë Shqipërinë në shitje. Sot dita 18 që po protestohet në mënyrën më paqësore. E veçanta e protestës është se është institucionalizuar paqja. S’ka molotovë, s’ka dhunë. Ka patur një përpjekje për të marrë frenat e protestës. Tani ti mund të më thuash mu apse je ti në protestë. Ka 10 vite që themi është aleanca e kullave dhe e vulave. Nga ana tjetër është aleanca e qytetarëve, që do shkërmoqë trekëndëshin e Bermudës. Rama dhe Berisha sa herë kanë nevojë, përmendin Kushtetutën. Njëherë thanë protestuesit janë grekë, pastaj serbë, etj. Sigurisht që Rama e Berisha janë bashkë. Njëri ka Gërdecin, tjetri ka Zvërnecin. Njëri ka Thethin, tjetri Pogradecin. Njëri ka vëlla Vuçiçin, tjetri Mickoskin. Të dy kanë vëlla Mitsotakisin”, tha Haklaj.

Më tej Haklaj deklaroi se opozita shqiptare është e shitur te kryeministri Edi Rama dhe e marrë peng. Ish-deputeti i kërkoi Gjykatës së Lartë që të ndajë kush e ka legjitimitetin e opozitës sot, pasi sipas tij, vula iu dha Berishës padrejtësisht. Duke folur për aksionet e fundit të SPAK, Haklaj tha se Prokuroria e Posaçme po shkakton tërmet te klasa politike dhe krimi në Shqipëri.

“Sigurisht që është opozita e shitur, e marrë peng. Sepse i është dhënë vula. Sot Gjykata e Lartë duhet ta ndajë kush e ka legjitimitetin e opozitës. Marshimi i protestuesve drejt Rinasit, ishte budallallëku më i madh për t’i lodhur protestuesit. SPAK po shkakton tërmet te keopsi kriminal”, vijoi Haklaj.