Vetëm një grup i vogël, prej 5 personash, kaloi natën para kryeministrisë, pasi protesta anti establishmentit politik mbylli ditën e saj të njëzet e pestë.

Kryeministri Edi Rama, të cilit i drejtohet kërkesa për dorëheqje, prej gati një muaji tashmë, thotë se nuk do të largohet. E këtë, e mbështet në misionin që Partia Socialiste që i drejton, ka për ta anëtarësuar Shqipërinë në familjen europiane.

“I siguroj të tërë, se nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, por po ashtu se nuk ka gjëkundi brenda meje asnjë iluzion për shumëçka kërkon ende korrigjim me punë këmbëngulëse”, shprehet ai.

Për kryeministrin Edi Rama, protesta ka rreth saj përfitues të shumtë, e një ndër to është Ikballe Huduti, një figurë e njohur në televizionet në Shqipëri e Kosovë për deklaratat e saj ekstremiste dhe simpatinë ndaj regjimit të Iranit, që kanë nxitur debate të forta

Rama poston një foto të sajën në protestën në Tiranë, dhe një foto të hershme të Ikballe Hudutit, në krah të ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.

“Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkroi kryeministri.

Për shefin e mazhorancës, grupet e përfituesve, shumica të nxitur edhe nga vetë Irani, i kanë motivet e qarta: t’i bëjnë dëm Shqipërisë.

“Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë”, thotë Rama.

Nga podiumi i protestës në ditën e 25 të saj, u shpalos sërish plani që për herë të parë e lexoi Dritan Goxhaj, për të shpërndarë Kuvendin e për ta zëvendësuar atë me një asamble tranzitore me 101 anëtarë të zgjedhur me short nga qytetarët. E njëjta, që do të krijonte po me short qeverinë teknike 1 vjeçare për të rishikuar Kushtetutën e për të çuar vendin në zgjedhje.

Një plan utopik që përplaset hapur me Kushtetutën aktuale, e që synon të rrëzojë përmes protestave jo vetëm qeverinë, e cila mbështetet nga 83 mandate parlamentare, por edhe Kuvendin, ku bëjnë pjesë 140 deputetë.