TIRANE - Një grup nga shoqëria civile dhe ambientalistë, protestuan sot në dyert e Ministrisë së Jashtme kundër projektit që ka pala greke për devijimin e mundshëm të lumit Vjosa. Por ndërsa protestonin, ministri i jashtëm Ditmir Bushati doli nga zyra dhe i takoi personalisht, duke ftuar më pas një përfaqësi në takim për t’i njohur me detajet. Në përfundim të takimit ambientalisti Sazan Guri, tha se pavarësisht sigurisë se ministria po e ndjek hap pas hapi këtë çështje, ata do të vazhdojnë protestat sensibilizuese kundër kësaj vjedhje. 

Pas mbi 1 orë takimi, ambientalisti Sazan Guri, tha se kërkojnë nga qeveria të mos ketë asnjë lloj tolerimi në këtë çështje. Duke përmendur edhe një tjetër shqetësim që kanë autoritetet shqiptare për lumin Buna në Shkodër.  

“Edhe Buna rrezikon njësoj si Vjosa,”- tha Guri.

Sazan Guri: Jemi përballë faktit që në 2003, 5 ministra të asaj kohe kanë lejuar kompanitë dhe shtetet fqinj të devijojnë Radikën dhe Vjosën. Dhe kërkojnë të devijojnë përgjithmonë Vjosës. Jemi mbledhur sot për t’i treguar zv.ministrit grek të mos luaj me ujin se po luan me zjarrin. Vjosa lidh jetën e bujqësisë shqiptare, jetën shqiptare. Greqia në bazë të konventave mos të ndërmarrë asnjë hap. Jemi te painformuar nuk dihet çdo bëhet. Kjo është e fshehur.
 


Glevi Dervishi - Këshilltar për mediat në MPJ: Ministria e Punëve të Jashtme është e vendosur dhe në të gjitha tryezat e diskutimeve kemi kërkuar që nga fqinjët tanë të kemi mirëkuptimin e tyre. Jemi vënë në dijeni të një projekt studimi që është paraqitur në Greqi për të pasur mundësinë që të zhvillohet një devijim i lumit mbase më vonë. Pala greke e ka të qartë qëndrimin tonë të MPJ dhe Shqipërisë jemi në ndjekje të situatës, është një projekt-ide jo real në terren.
 
Dervishi: Më 9 janar me insistimin e palës shqiptare u zhvillua mbledhja e parë e  Komisionit të Përbashkët të Përhershëm për Ujërat e Ëmbla midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi hapur në tryezë diskutimet, lamë që do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme të këtij komisioni. Do të marrim edhe vlerësimin e tyre. Ka akte ndërkombëtare që i detyrojnë palët t’i bindet rregullave ndërkombëtare. Sigurojmë qytetarët që çdo gjë do të jetë transparente.