Një grup të rinjsh u mblodhën sot në qendër të qytetit të Bulqizës për të protestuar në mënyrë paqësore, pas humbjes tragjike të bashkëmoshatarit të tyre Erjon Boba.

Me pankarta në duar dhe me heshtje simbolike, ata kërkuan më shumë siguri, mbrojtje dhe vëmendje ndaj problemeve me të cilat përballen të rinjtë sot.

Të rinjtë duhet të ndihen të sigurt kudo,” tha një nga pjesëmarrësit, duke theksuar se protesta nuk është vetëm për viktimën, por për të gjithë komunitetin. Protestuesit kërkuan që institucionet të marrin masa më të forta për parandalimin e konflikteve, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe krijimin e hapësirave ku të rinjtë mund të shprehen e të kërkojnë ndihmë.

“Ne si të rinj e kemi përjetuar shumë keq se të gjithë mund të ndodhi të dalin dhe të na vrasin. Na rrezikohet çdo ditë jeta dhe të mos jemi të siguritë të flasim atë që duam, të bëjmë atë që duam dhe ne nuk duhet të heshtim për këtë. Familja ka rolin më të rëndësishëm sepse është ajo që i jep fëmijës kulturën, i mëson sesi të sillen, si të përballojnë një çështje pa lënduar veten e të tjerët dhe të kontrollojnë emocionet për të mos shkuar në tragjedi të tilla”, tha një prej nxënësve.

“Jemi mbledhur për të drejtat tona. Jap një mesazh për të gjithë moshatarët e mi që të kenë kujdes se çfarë bëjnë dhe të dinë të menaxhojnë sherret. Shkollat luajnë një rol të madh se pothuajse të gjitha problemet nisin në shkollë. Dhe rrjetet sociale janë bërë një problem i madh për ne”, tha një prej nxënësve.

Protesta u zhvillua qetësisht, duke u kthyer në një thirrje të fuqishme për reflektim dhe ndryshim. Të rinjtë shprehën solidaritetin e tyre me familjen e viktimës dhe përsëritën kërkesën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Barie Boba një e afërme e familjes Boba dha një mesazh të qartë për ngjarjen dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen ne rrolin e edukatorit dhe të prindit.

“Ju falënderoj shumë për mbështetjen. Erdha t’ju mbështes se ju u përpoqët të bënit diçka për Erjonin tonë. Mesazhi më i fortë është që të doni njëri-tjetrin dhe jetën. Jeta është dhurata më e bukur që zoti iu ka dhënë. Ju lutem rrini pranë librave, mos mbani sende të rrezikshme në çanta. Janë veshur të gjitha nënat me të zeza, na e plagosët zemrën ne prindërve”, tha Barie Boba.